Frika se Izraeli mund të vriste Ghalibaf dhe Araghchi gjatë bisedimeve të paqes, zyrtarët amerikanë për CNN: U përpoqëm ta paralajmëronim Iranin, por…

04/07/2026 13:40

Zyrtarë amerikanë janë përpjekur të paralajmërojnë Iranin për shqetësimet se Izraeli mund të synonte dhe të vriste ndërmjetësuesit iranianë gjatë bisedimeve të zhvilluara këtë pranverë, kanë thënë dy zyrtarë amerikanë për CNN.

Sipas tyre, SHBA-të ishin të shqetësuara se Izraeli mund të shënjestronte kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili ka udhëhequr negociatat me SHBA-në, si dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, i cili ka qenë gjithashtu një figurë publike e bisedimeve. Paralajmërimet janë përcjellë përmes ndërmjetësve.

“New York Times” raportoi e para mbi këto paralajmërime.

Megjithatë, nuk ka pasur indikacione se inteligjenca amerikane kishte informacion për një komplot specifik që do të justifikonte këto paralajmërime. Ndërkohë, zyrtarë të lartë izraelitë të mbrojtjes kanë folur publikisht për qëllimin e mundshëm për eliminimin e udhëheqësve të lartë iranianë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar më herët se këto zhvillime e ndërlikojnë procesin e negociatave.

Në muajin mars, Trump ka refuzuar të japë detaje për palën iraniane me të cilën po zhvilloheshin bisedimet, duke deklaruar se “nuk dua që ata të vriten”.

“E di, është pak e vështirë”, është shprehur ai. “I kanë zhdukur të gjithë”, shtoi Trump.

Duke reaguar ndaj raportimit të “New York Times”, Zyra e Kryeministrit izraelit e ka cilësuar lajmin si të pavërtetë, duke deklaruar në rrjetin X: “Si zakonisht, artikulli i fundit i New York Times për Izraelin dhe negociatorët iranianë është lajm i rremë. Një trillim i plotë i realitetit.”

Një zëdhënës i ambasadës izraelite në Uashington nuk ka pranuar të komentojë, ndërsa CNN i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për reagim.

Top Channel