Video/ Dramë në Toronto! Penallti dhe gola të anuluar në fund, Portugalia përmbys Kroacinë dhe mban gjallë ëndrrën e Ronaldos për Botërorin
Cristiano Ronaldo e bëri sërish dhe këtë herë ai sfidoi vetë ligjet e kohës. Kur të gjithë mendonin se kishin parë gjithçka nga ai, portugezi zgjodhi skenën më të madhe të futbollit për të lënë gjurmë të pashlyeshme në histori.
Në ndeshjen e fundit, kapiteni luzitan shkroi një faqe të re në librin e rekordeve duke u shndërruar zyrtarisht në golashënuesin më të vjetër ndonjëherë në historinë e Kampionateve Botërore. Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo arriti atë që deri dje dukej e pamundur, duke shënuar golin e tij të parë në ndeshjet me eliminim direkt në një Kampionat Botëror.
Ky realizim nuk është thjesht një numër në statistikë, pasi me këtë gol, Ronaldo ka arritur tashmë kuotën e 976 golave në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke u shkëputur vetëm 24 gola larg shifrës magjike prej 1000 finalizimesh. Festimi i tij pas golit dëshmoi qartë se pasioni i tij për këtë lojë mbetet po aq i zjarrtë sa në ditët e para të karrierës, duke vërtetuar se dëshira për fitore dhe uria për gola nuk njeh moshë.
Bota e futbollit u ndal për një çast për të duartrokitur njeriun që vazhdon të thyejë kufijtë e njerëzores, duke konfirmuar se 41-vjeçari po jeton ditët e tij më të mira në skenën ndërkombëtare.
Top Channel