“Krimi i organizuar është ndërkombëtarizuar dhe sofistikuar”, Braho: Ka policë me probleme me ligjin, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale

03/07/2026 11:12

Në raportimin e sotëm në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, foli në lidhje me vështirësitë që hasen për të goditur krimin e organizuar, marrëdhënien me policinë dhe kërkesën e përsëritur që SPAK të ketë mundësinë të bëjë në mënyrë të pavarur operacione të caktuara.

“Komplekse janë çështjet e krimit të organizuar dhe komplekse e bëjnë format e reja të parave, përhapja gjeografike, ndërkombëtarizimi, sofistikimi dhe jo vetëm. Ka forma të reja të organizimit dhe infrastrukturave që kanë në përdorim. Ka pastrim parash edhe në vende offshore.

Gjatë 2025-ës referimet penale të Policisë së Shtetit janë rritur në SPAK në një masë të caktuar. Kemi vlerësimin më të madh për Policinë e Shtetit dhe sigurisht jo të gjithë janë njësoj dhe ndonjëri mund të ketë edhe probleme me ligjin, të paktën ne dyshojmë.

Është partneri ynë më i madh, por presim edhe më shumë. Veprime që bën BKH është diçka që ligji ia zbaton. Pengesat vijnë për shkak të infrastrukturës apo taktikës. Ajo që ne kërkojmë është që SPAK të ketë pavarësi procedurale dhe operacionale, pa e zhvlerësuar Policinë e Shtetit. Kjo nuk është e veçantë që e gjejmë në vende të tjera”, tha Braho.

Top Channel