Kur shkenca mposht emocionin, si topi me çip anuloi golin që ndezi debatet në Kupën e Botës, ja si funksionon Snicko!
Botërori 2026 po bëhet akoma më i nxehtë. Kuadri i 1/8 të finaleve thuajse është përcaktuar kur janë edhe 3 ndeshje për t’u luajtur. Nga ky moment mundësitë për sfida të një niveli të jashtëzakonshëm do të jenë akoma më të mëdha. Në fakt njëra është përcaktuar tashmë dhe bëhet fjalë për derbin e zjarrtë iberik mes Spanjës dhe Portugalisë që do të luhet në Dallas në 6 korrik.
Përveç duelit Ronaldo-Yamal, sfida më interesante e 1/8 të finaleve është padyshim ajo mes Brazilit dhe Norvegjisë. Kjo sepse Seleçao nuk e ka mundur kurrë skuadrën skandinave në 4 ndeshjet e mëparshme të luajtura me të. Carlo Ancelotti thirret në apel për të thyer këtë tabu por përballë do të ketë një djalosh të ri, gjigand, bjond, të qeshur e shumë të rrezikshëm. Nëse Brazili do të mposhtë Norvegjinë dhe Anglia Meksikën do të kemi një çerekfinale Brazil-Angli që është një përsëritje e ndeshjes legjendare të 2002 e fituar nga një Ronaldinho shumë i ri që ekzekutoi një goditje dënimi të çmendur. Në planin social është interesante mundësia që në çerekfinale të kemi Francë-Marok; këtu theksojmë se komuniteti maroken është komuniteti i dytë i huaj më i madh në Francë teksa përfaqëson 6.3% të popullsisë totale. Në nivel politik, duke parë edhe përplasjet e shumta verbale mes vendeve në 2 vitet e fundit, nuk mund të nënvlerësohet një duel i mundshëm mes Spanjës dhe SHBA. Në planin kulturor edhe Francë-Kanada do të ishte një sfidë shumë interesante duke parë lidhjen e ngushë mes dy vendeve në aspektin historik dhe njëkohësisht bashkëpinimin mes tyre në diplomacinë botërore.
Përplasja më e madhe e imagjinueshme mund të marrë jetë në gjysmëfinale; Francë-Spanjë, do të ishte në mënyrë absolute ndeshja më e shumëpritur e të gjithë edicionit pasi të dyja skuadrat që me fillimin e edicionit janë kuotuar favoritet absolute për fitoren finale. Do të ishte një finale e vërtetë e parakohshme me duelin brenda saj mes Yamal dhe Mbappe. Në aspektin e peshës historike, në krahun tjetër mund të kemi derbin Argjentinë-Brazil në gjysmëfinale; në botërorë një sfidë e tillë është parë në 4 raste me 2 fitore të Brazilit, 1 barazim dhe 1 fitore të Argjentinës. Ndërsa gjysmëfinalja Argjentinë-Angli do të kthente përplasje të vjetra që nuk kishin të bënin me futbollin, por do të ishte padyshim një ndeshje tërheqëse dhe e tensionuar. Edhe sepse Diego Maradona në 1986 i dha sfidës një kuptim tjetër me 2 gola të jashtëzakonshëm në aspektin teknik; golin e shekullit dhe dorën e Zotit.
Finalja mund të jetë një përsëritje e asaj të 1998 mes Francës dhe Brazilit. Në atë kohë bota ishte ndryseh, liderët e skuadrave ishin Zidane dhe Ronaldo dhe as Mbappe e as Vinicius nuk kishin lindur akoma. Po kështu mund të kemi edhe një finale të 2022 mes Francës dhe Argjentinës. Por pse mos të imagjinojmë edhe një kapitull përmbyllës të rivalitetit Messi-Ronaldo? Të dy janë drejt mbylljes së karrierave të tyre dhe pse mos të përballen mes tyre për të disatën dhe të fundit herë? Finalja Argjentinë-Portugali, do të ishte finalja e tyre dhe një ndër më interesantet e të gjitha kohërave.
Top Channel