Gjermania, e ardhmja është e shënjuar për Nagelsmann, DFB i ka kërkuar dorëheqjen dhe tani ëndërron Klopp

02/07/2026 20:12

Pas eliminimit të bujshëm nga Paraguaji në Botërorin 2026, aventurës së Julian Nagelsmann në pankinën e Gjermanisë mund t’i ketë ardhur fundi. Në ditët e fundit, Federata Gjermane e Futbollit ka nisur diskutimet brenda saj për të zgjidhur të ardhmen e kombëtares dhe në takimin e programuar për këtë të enjte duket se ka gjetur rrugën.

Sipas Sky Sport Deutschland, në fakt DFB i ka këshilluar Nagelsmann të japë dorëheqjen për të evituar një shkarkim që në këtë pikë do të ishte i paevitueshëm. Nëse ish trajneri i Bayernit nuk do të ndërmarrë këtë veprim, atëherë qeveria e futbollit gjerman do të vijojë me procedurën e shkarkimit, edhe pse vendimi përfundimtar nuk pritet të ndodhë në orët e ardhshme.

Kandidati kryesor për të marrë vendin e Nagelsmann, sipas zërave që po qarkullojnë së fundmi, mbetet Jurgen Klopp. I impenjuar në rolin e përgjegjësit të aktiviteteve sportive të Red Bull, ish trajneri i Liverpool duket se ka dëshirë t’i kthehet profesionit të trajnerit dhe e ndjen veten më gati se kurrë për të marrë përsipër një detyrë kaq delikate. Për më tepër, Klopp mund të aktivizojë në çdo moment klauzolën e zgjidhjes së kontratës me kompaninë austriake sidomos nëse ai kërkohet nga Federata.

Me fjalë të tjera, fati i Nagelsmann duket së është shënjuar. Mbetet për t’u parë se në çfarë mënyre, nëse do të ketë dorëheqje apo shkarkim. Ndërkaq, në Gjermani kanë nisur të ëndërrojnë me Klopp edhe pse ky operacion pritet të jetë i komplikuar dhe i kushtueshëm për Federatën. Sepse nëse Nagelsmann vendos të mos e japë dorëheqjen, drejtuesit e qeverisë së futbollit gjerman do të duhet t’i japin një dëmshpërblim prej rreth 7 milionë eurosh.

Top Channel