Belgjika, Rudi Garcia shuan polemikat: Nuk iu referova skuadrave afrikane

02/07/2026 23:21

Pas fitores me përmbysje ndaj Senegalit, trajneri i Belgjikës shkaktoi polemika me disa deklarata të tij të cilat u konsideruan si fyese kundrejt skuadrave kombëtare afrikane.

‘I njohim mirë këto skuadra, drejt fundit të ndeshjes e humbin strukturën e tyre fizike’-ishte fraza e përdorur nga ish trajneri i Romës dhe Napolit. Por pas 24 orësh, Garcia deshi të qartësojë situatën përmes një postimi në Instagram Story.

‘Kur fola për ‘ato skuadra’ i referohesha ekipeve që nuk janë mësuar të menaxhojnë një avantazh të tillë në ndeshjet e Botërorit-theksonte Rudi Garcia në postimin e tij-në asnjë moment nuk iu referova kombëtareve afrikane dhe fare mirë mund t’iu referohesha edhe skuadrave aziatike, amerikanojugore, evropiane që nuk janë mësuar me këtë tip presioni’.

Trajneri i Belgjikës më pas e mbylli postimin e tij duke përmendur edhe eksperiencën personale

‘Unë vetë, kur isha trajner më pak ekspert, kam mësuar në lëkurën time se të ndalosh së luajturi për të mbrojtur me çdo kusht një rezultat prodhon të kundërtën e asaj që synon. Edhe këtë e mendova kur thashë se ato skuadra mund të humbasin strukturën e tyre në ato momente’-përfundon Rudi Garcia.

Top Channel