Lionel Scaloni, 100 ndeshje me Argjentinën me fitore të shumta dhe tituj të rëndësishëm

01/07/2026 15:20

Argjentina do të luajë të premten ndaj Kepit të Gjelbër sfidën e 1/16 të finaleve të Botërorit dhe kjo do të jetë një ndeshje jubilare për Lionel Scalonin. Trajneri i skuadrës kampione të botës do të jetë në sfidën e tij të 100 në pankinën e skuadrës Albiceleste.

Në 99 sfidat e tij të para, Scaloni ka regjistruar një përqindje impresionuese fitoresh e sidomos ai ka edhe tre tituj madhorë të fituar, Botërorin 2022 dhe dy edicione të Copa America të cilëve iu shtohet edhe titulli i Finalissima.

Lionel Scaloni shkon në ndeshjen e tij të 100 me ëndrrën që Argjentina e tij të përsërisë triumfin e 4 viteve më parë për të realizuar një arritje të jashtë zakonshme që e kanë bërë vetëm Italia në 1934 e 1938 dhe Brazili në 1958 e 62, fitorja e dy titujve botërorë radhazi.

Kur të zbresë në Hard Rock Stadium të Miami, Scaloni do të ketë me vete një  bilanc të jashtëzakonshëm; 72 fitore, 18 barazime dhe vetëm 9 humbje. Ajo me Venezuelën në miqësoren e 2019 ka qenë humbja më e thellë e pësuar dhe që habiti botën.

Nëse analizojmë futbollistët e aktivizuar nga Scaloni, Rodrigo de Paul dhe Lionel Messi janë ata që kanë qenë më shpesh në formacionet e tij. Sigurisht ylli nga Rosario është ai që ka shënuar më shumë në epokën Scaloni me 59 gola i ndjekur nga Lautaro Martinez me 38

Është e vështirë të dish se çfarë do të ndodhë pas Botërorit me të ardhmen e trajnerit. Kontrata e tij me Federatën Argjentinase skadon në fund të këtij viti dhe presidenti Claudio Tapia i ka dhënë ‘çekun e bardhë’ për të drejtuar skuadrën Albiceleste sa kohë të dojë. Scaloni nga ana e tij nuk është prononcuar ende dhe supozohet se gjithçka do të varet nga ajo që do të ndodhë në aspektin sportiv në këtë Botëror

Lionel Scaloni e mori drejtimin e Argjentinës pas Botërori 2018 dhe po i afrohet rekordit të 124 ndeshjeve të mitikut Guillermo Stábile, goleadori argjentinas i botërorit 1930 dhe trajner i Argjentinës në periudhën 1940-1960.

Top Channel