Putin pret rifillimin e bisedimeve me SHBA për Ukrainën/ Kremlini: Dialogu varet nga ulja e tensioneve në Iran
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka sulmuar ashpër kandidaten demokrate për kryetare të Bashkisë së Uashingtonit, Janice Louise George, duke e cilësuar atë si “komuniste” dhe duke paralajmëruar se nuk do të lejojë, sipas tij, “shkatërrimin” e kryeqytetit amerikan.
Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump pretendoi se George, e cila konsiderohet favorite për të fituar zgjedhjet lokale të nëntorit, mbështet lirimin e të burgosurve, kundërshton agjencinë amerikane të emigracionit (ICE) dhe mirëpret emigrantët e paligjshëm me precedentë penalë.
“Janice Louise George, komunistja që është pothuajse e sigurt se do të zgjidhet kryebashkiake e Uashingtonit, ka deklaruar se dëshiron të zbrazë burgjet, kundërshton ICE dhe mirëpret emigrantët e paligjshëm kriminelë në kryeqytetin tonë të dashur”, shkroi Trump.
Ai shtoi se nuk do të lejojë që kryeqyteti amerikan të drejtohet nga një person që, sipas tij, nuk synon ta rikthejë Uashingtonin në “madhështinë” e tij.
“Shumë njerëz, përfshirë edhe mua, kanë punuar gjatë dhe shumë. Ne nuk do të lejojmë që qyteti të shkatërrohet nga një komunist që nuk ka ndërmend ta rikthejë Uashingtonin në madhështinë e tij”, u shpreh presidenti amerikan.
Janice Louise George, anëtare e krahut progresist të Partisë Demokratike dhe pjesë e organizatës Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA), fitoi zgjedhjet paraprake të demokratëve në mesin e muajit qershor dhe konsiderohet favoritja për zgjedhjet e nëntorit, duke qenë se demokratët gëzojnë tradicionalisht mbështetje të fortë në Uashington.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka kërcënuar disa herë se do ta vendosë Uashingtonin nën kontroll federal, duke argumentuar se administrimi i qytetit ka dështuar në garantimin e rendit dhe sigurisë.
Në të njëjtën kohë, ai ka promovuar një sërë projektesh zhvillimore për kryeqytetin, mes tyre restaurimin e 73 statujave, monumenteve dhe shatërvanëve, rikonstruksionin e fushës së golfit East Potomac Golf Links, si dhe restaurimin e rezervuarit pranë Memorialit të Linkolnit.
Megjithatë, këto projekte janë shoqëruar me kritika për kostot e larta, mënyrën e dhënies së kontratave dhe karakterin e tyre, që kundërshtarët i cilësojnë më shumë si projekte imazhi sesa investime prioritare për qytetin.
Top Channel