Vala e të nxehtit në Evropë, OBSH: Mbi 1,300 viktima, Gjermania shënon rekord me 41.7°C

29/06/2026 08:22

Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën ka shkaktuar mbi 1,300 vdekje që nga 21 qershori, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndërsa temperaturat kanë thyer rekorde në disa vende të kontinentit.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se stresi nga nxehtësia është një “vrasës i heshtur”, duke theksuar se shtëpitë, shkollat dhe vendet e punës në Evropë nuk janë ndërtuar për temperatura kaq të larta.

Gjermania regjistroi të dielën temperaturën më të lartë në historinë e saj, 41.7 gradë Celsius, në zonën e Coschen, pranë kufirit me Poloninë. Rekorde të reja u shënuan edhe në Poloni, ku temperatura arriti në 40.5 gradë Celsius, si dhe në Republikën Çeke me 41.1 gradë Celsius.

Edhe Franca po përballet me pasoja të rënda nga vala e të nxehtit. Autoritetet shëndetësore njoftuan se janë regjistruar rreth 1,000 vdekje më shumë se zakonisht që nga e mërkura, kryesisht te personat mbi 65 vjeç. Ndërkohë, Ministria e Brendshme raportoi se të paktën 74 persona janë mbytur që nga fillimi i valës së të nxehtit, shumica në lumenj, liqene dhe zona ujore të pambikëqyrura.

Sipas OBSH-së, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Organizata paralajmëron se valët ekstreme të të nxehtit, të nxitura nga ndryshimet klimatike, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Për shkak të temperaturave të larta, disa vende evropiane kanë marrë masa të jashtëzakonshme. Në Holandë u anulua festivali muzikor Defqon.1, ndërsa në Paris u pezulluan disa aktivitete publike dhe autoritetet vendosën kufizime për të lehtësuar ngarkesën ndaj shërbimeve të urgjencës.

Meteorologët shpjegojnë se vala rekord e të nxehtit është shkaktuar nga fenomeni i njohur si “kupola e nxehtësisë”, një masë ajri e nxehtë që bllokohet mbi një rajon, duke rritur temperaturat dhe duke penguar formimin e reve, çka favorizon vapën ekstreme.

Top Channel