Gjermania rikthehet në fazën me eliminim direkt pas 12 vitesh, Nagelsmann kërkon kujdes: Paraguai është kundërshtar i vështirë
Botërori i parë në histori me 48 kombëtare, 104 ndeshje dhe i organizuar në tre shtete të ndryshme, po rezulton një sukses i jashtëzakonshëm.
Turneu ka bashkuar në një skenë legjenda si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Luka Modrić me yjet e brezit të ri si Lamine Yamal, Kylian Mbappe, Harry Kane dhe Erling Haaland, duke ofruar emocione, gola dhe futboll spektakolar.
Madje, ish-legjenda e NFL-së, Tom Brady, e cilësoi këtë edicion si “Botërori më i mirë i të gjitha kohërave”.
Mjafton të shohësh renditjen e golashënuesve për të kuptuar nivelin e turneut. Lionel Messi kryeson me gjashtë gola, ndërsa pas tij renditen Kylian Mbappe, Ousmane Dembele, Erling Haaland dhe Vinicius Junior, të gjithë me nga katër gola.
Çdo ndeshje ku aktivizohen këta futbollistë ka dhuruar spektakël. Vinicius është shpallur lojtari më i mirë (MVP) në tre ndeshjet e para të Brazilit, ndërsa Messi ka hyrë në histori pasi ka kaluar Miroslav Klosen si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kupat e Botës, duke arritur në kuotën e 19 golave.
Edhe Cristiano Ronaldo ka vendosur një rekord të ri. Me golat e shënuar ndaj Uzbekistanit, portugezi u bë futbollisti i parë në histori që realizon në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Ai dhe Messi po zhvillojnë Botërorin e tyre të gjashtë, një arritje unike që nuk është regjistruar më parë.
Në formë të jashtëzakonshme po kalon edhe Kylian Mbappe. Sulmuesi francez tashmë është vetëm tre gola larg rekordit historik të Messit dhe, duke marrë parasysh moshën e tij, pritet që në të ardhmen ta thyejë këtë rekord. Partneri i tij në sulm, Ousmane Dembele, u fut gjithashtu mes protagonistëve të turneut pasi realizoi një “hat-trick” ndaj Norvegjisë.
Nga ana tjetër, Erling Haaland po zhvillon një Botëror mbresëlënës në debutimin e tij. Sulmuesi norvegjez shënoi dy gola në fitoren ndaj Irakut dhe përsëriti të njëjtën paraqitje edhe kundër Senegalit.
Spektakli nuk mungon as në aspektin kolektiv. Në 73 ndeshjet e zhvilluara deri tani janë realizuar plot 215 gola, me një mesatare prej gati tre golash për ndeshje.
Gjithashtu, koha efektive e lojës është rritur ndjeshëm, duke arritur mesatarisht 67 minuta për ndeshje, krahasuar me 63 minuta në edicionet e mëparshme. Ndikim të madh në këtë statistikë kanë pasur masat e reja të FIFA-s për të luftuar humbjen e kohës gjatë ndeshjeve.
Top Channel