Gjermania rikthehet në fazën me eliminim direkt pas 12 vitesh, Nagelsmann kërkon kujdes: Paraguai është kundërshtar i vështirë
Faza me eliminim direkt e Kupës së Botës 2026 vazhdon sot me dy nga sfidat më të shumëpritura të raundit të 1/16-ave, ku në fushë zbresin dy kombëtaret më të dekoruara në historinë e turneut.
Pesë herë kampionia e botës Brazili përballet me Japoninë në “Houston” duke nisur nga ora 19:00, ndërsa katër herë kampionia Gjermania do të sfidojë Paraguain në Boston në orën 22:30.
Faza e 1/16-ave nisi të dielën me suksesin minimal 1-0 të Kanadasë ndaj Afrikës së Jugut, duke përcaktuar edhe skuadrën e parë të1/8-at të këtij Botërori.
Vëmendja më e madhe është te përballja mes Brazilit dhe Japonisë, që konsiderohet një nga duelet më interesante të këtij raundi. Pas një starti jo bindës, “Seleçao” reagoi në mënyrën më të mirë duke mposhtur Haitin dhe Skocinë me rezultate identike 3-0, për të mbyllur Grupin C në vendin e parë. Ekipi i Carlo Ancelottit ka realizuar shtatë gola pa pësuar asnjë në dy ndeshjet e fundit dhe synon të rikthehet te lavdia botërore, pasi titulli i fundit daton në vitin 2002.
Përballë do të jetë një Japoni që kaloi e pamposhtur fazën e grupeve, por që ende nuk ka arritur të fitojë asnjëherë një ndeshje me eliminim direkt në historinë e Kupës së Botës. “Samurajt Blu” mbërrijnë me një mbrojtje solide, por historia nuk është në anën e tyre, pasi kanë humbur të katër sfidat e luajtura në fazën me eliminim direkt.
Në mbrëmje, Gjermania rikthehet në një fazë me eliminim direkt të Botërorit për herë të parë që nga triumfi i vitit 2014. Edhe pse e mbylli Grupin E në vendin e parë, skuadra e Julian Nagelsmann u ndal në ndeshjen e fundit nga Ekuadori, humbje që ngriti pikëpyetje për vazhdimësinë e saj.
Kundërshtari do të jetë Paraguai, që rikthehet në fazën me eliminim direkt për herë të parë që nga Botërori 2010. Amerikano-jugorët siguruan kualifikimin falë paraqitjeve të disiplinuara në grupe, megjithëse kanë treguar vështirësi të mëdha në repartin ofensiv dhe nuk kanë shënuar asnjëherë në pesë ndeshjet e tyre me eliminim direkt në Kupën e Botës.
NDESHJET:
Brazil – Japoni 19:00
Gjermani – Paraguai 22:30
Top Channel