Skandal pas eliminimit? Presidenti i Koresë së Jugut kërkon hetim zyrtar

28/06/2026 20:03

Eliminimi i Koresë së Jugut nga Kupa e Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në vend, deri në nivelet më të larta shtetërore.

Presidenti i vendit, Lee Jae Myung, deklaroi se ishte “thellësisht i tronditur” nga dështimi i kombëtares dhe kërkoi një hetim të plotë për mënyrën se si u menaxhua fushata e Botërorit.

“Jam thellësisht i shokuar nga eliminimi ynë nga Kupa e Botës. Duke marrë parasysh se burimet e mbështetjes shtetërore janë përdorur si investim gjatë procesit të kualifikimit, kërkoj që Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit të zhvillojë një hetim të plotë mbi këtë situatë dhe të marrë masa gjithëpërfshirëse për të parandaluar përsëritjen e saj”, deklaroi presidenti.

Deklarata e tij ka hapur menjëherë debat në Korenë e Jugut, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë masa konkrete ndaj drejtuesve të futbollit pas këtij eliminimi zhgënjyes.

Top Channel