Franca përgatit sfidën me Suedinë, Marcus Thuram rrezikon të mos e luajë për probleme fizike.

28/06/2026 23:17

Didier Deschamps rrezikon të mos e ketë në dispozicion Marcus Thuram në ndeshjen e 1/16 të finaleve të Botërorit 2026 ndaj Suedisë.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja franceze L’Equipe sipas së cilës, sulmuesi i Interit kishte një problem në pulpë dhe kështu ai nuk u stërvit me grupin në seancën stërvitore të kësaj të diele duke u kufizuar vetëm te puna me biçikletë.

Po kështu Thuram nuk ishte i pranishëm edhe në stërvitjen e një dite më parë dhe nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë, ai pritet të mos jetë në sfidën e New Yorkut edhe pse emri i tij mund të figurojë në listën e të grumbulluarve për këtë ndeshje.

Edhe N’Golo Kante do të jetë i pranishëm edhe pse mesfushori ndjeu dhimbje në gju në dy ditët e fundit që e pengoi atë të marrë pjesë në stërvitjen me pjesën tjetër të skuadrës. Gjithsesi, burime pranë futbollistit  theksojnë se gjendja e tij nuk ka ngjallur shqetësime të mëdha. Përsa i përket pjesës tjetër të skuadrës franceze, zhvilloi një stërvitje të lehtë përpara se të nisej për në New York për ndeshjen ndaj Suedisë.

Top Channel