Carlos Alberto Parreira në spital, gjendje e qëndrueshme, por kritike

28/06/2026 23:47

Ish-trajneri legjendar i Brazilit dhe kampioni i botës në vitin 1994, Carlos Alberto Parreira, ndodhet aktualisht në kujdes intensiv në një spital në Rio de Janeiro, ku gjendja e tij raportohet si e qëndrueshme.

83-vjeçari u shtrua në spital për shkak të një inflamacioni në mushkëri dhe më pas iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të trajtuar një hemorragji nga hunda, procedurë që sipas mjekëve ka kaluar me sukses. Pavarësisht kësaj, ai mbetet nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore, i qetësuar dhe i lidhur me aparatura për frymëmarrje.

Sipas spitalit “Samaritano Barra”, gjendja e tij është stabile, por kërkon kujdes të vazhdueshëm, ndërsa stafi mjekësor po e monitoron nga afër për shkak të komplikimeve të mëparshme shëndetësore, përfshirë edhe betejën me limfomën e Hodgkin-it që nga viti 2023.

Parreira është një nga trajnerët më të njohur në historinë e Kupës së Botës, me një rekord të veçantë pjesëmarrjesh në turne me disa kombëtare, përfshirë Brazilin, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Afrikën e Jugut. Kulmi i karrierës së tij mbetet triumfi historik me Brazilin në Kupën e Botës 1994 në SHBA, kur “Seleção” u kthye në majë pas 24 vitesh pritje.

Top Channel