Muslera, Valverde dhe krisja e raporteve me skuadrën, dështimi i Marcelo Bielsës me Uruguajin

27/06/2026 20:28

Zgjedhje të gabuara, polemika, përplasje të brendshme, rendiment shumë i ulët; Botërori i Uruguajit ishte një katastrofë. I përfshirë në një grup teorikisht të kalueshëm, skuadra Celeste barazoi me Arabinë Saudite dhe Kepin e Gjelbër dhe humbi me Spanjën duke e mbyllur menjëherë aventurën e saj.

Është hera e parë në histori që Uruguaji eliminohet 2 herë radhazi në fazën e grupeve edhe e katërta herë  që kthehet në shtëpi pa asnjë fitorë pas 1974, 1986 dhe 2002. Në ndeshjen me Spanjën vetëm në 20 minutat e para u pa një skuadër me ide dhe një projekt taktik për t’u ndjekur, më pas Uruguaji ‘u zhduk’ dhe në pjesën e dytë u dallua vetëm për një sërë ndërhyrjesh të ashpra dhe ndëshkimin e paevitueshëm me karton të kuq të Canobbios

ZGJEDHJA E MUSLERAS-Nuk do ta dimë kurrë nëse Botërori i Uruguajit do të ishte ndryshe me një portier tjetër, por me siguri zgjedhja e Bielsës për të rikthyer në skuadër Fernando Muslera, 4 vjet pas largimit të tij nga kombëtarja dhe ta aktivizojë titullar ka ndikuar te rezultatet e skuadrës. Muslera iu dhuroi kundërshtarëve nga 1 gol në çdo ndeshje dhe gabimi në ndeshjen ndaj Spanjës ishte vendimtar sepse edhe me barazimin 0-0, Uruguaji do të renditej në vendin e dytë dhe do të kualifikohej.

Te gjuajtja e Baenës, që ishte e dobët dhe qendrore, portieri u gjet krejtësisht i papërgatitur duke lënë që topi t’i rrëshqiste mes duarve. Ishte minuta e 42 dhe pak minuta më vonë, gjatë pushimit, Muslera kërkoi zëvendësim. Të paktën kjo është ajo që tregoi Bielsa pas përfundimit të ndeshjes. ‘Nuk jam unë ai që vendosi të zëvendësojë, ishte kërkesa e tij’-tha Bielsa, dhe Muslera shpjegoi: ‘Nuk kam qenë kurrë dikush që që fshihet, i përballoj gjërat ballë për ballë. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se do të vuaja kaq shumë për këtë sport, sidomos pas punës që kam bërë-tha portieri-kërkova ndjesë shokëve të mi dhe e bëj me të gjithë uruguajanët edhe pse tashmë është shumë vonë’.

GABIMET E BIELSËS-Të luash pa portier nuk ndihmon dhe gabimet e Muslerës kushtëzuan rëndë Botërorin e Uruguajit, por nuk do të ishte e drejtë që gjithçka të mblidhej vetëm në këtë pikë. Uruguaji u duk një skuadër pa një udhëheqës dhe ndoshta kjo ishte sepse futbollistët nuk ishin të lidhur me Bielsën. Në ndeshjen me Spanjën, gjatë pjesës së dytë u zëvendësua Valverde, që përveçse është kapiteni, është edhe futbollisti më i mirë. Mesfushori i Realit të Madridit zhvilloi një Botëror shumë të dobët, por në një skuadër me pak talente dhe personalitete, është e vështirë që të heqësh dorë nga një lojtar si ai. Dhe në fakt, me këtë zëvendësim, Bielsa, ndoshta në mënyrë të pavullnetshme, vuri në dukje distancën që ishte mes tij dhe skuadrës. Në prag të ndeshjes pati edhe një përplasje për planin taktik që duhej ndjekur në ndeshjen ndaj Spanjës. Futbollistët kërkonin që të qëndronin poshtë dhe të niseshin me kundërsulme, Bielsa këmbënguli te agresiviteti dhe duelet individuale. Doli një lojë hibride sepse Uruguaji ndoqi pak idetë e Bielsës dhe pak i qëndroi idesë së lojtarëve për qëndruar në gjysmëfushën e tyre duke mbrojtur thuajse më një linjë me 6 mbrojtës.

Dhe pas golit të Spanjës, skuadra u shkri, vetëm një gjuajte në kuadratin e portës dhe shumë vështirësi për të ndërtuar sulme, një nervozizëm gjithnjë në rritje që u kthyen në një sërë faullash gjithnjë e më shumë të ashpra. Dhe natyrisht, përgjegjësi i parë u gjet të ishte Bielsa që për një herë të vetme nuk arriti të hyjë në sintoni me grupin.

Por jo vetëm kaq, Bielsa shfaqi edhe një nervozizëm teksa priste të zhvillonte intervistën në fushë. Episodi i radhës i një Botërori ku ai u fol më shumë për atë çfarë ndodhi jashtë fushe sesa brenda saj; vështrimi poshtë në fotot zyrtare, intervista me 6 përgjigje në 38 sekonda, polemika me FIFA për pauzën e hidratimit. Uruguaji është teknikisht i dobët, ky nuk është faji i Bielsës. Por këtë radhë ‘El Loco’ nuk arriti të gjejë çelësin për të hyrë në mendjen e futbollistëve dhe të rriste nivelin.

Top Channel