Manjati i Porsche tërhiqet nga projekti i “tunelit për një person” në Salzburg, vila nxirret në shitje pas protestave dhe debatit për pabarazinë sociale

26/06/2026 12:44

Manjati austro-gjerman i industrisë së automobilave, Wolfgang Porsche, duket se po tërhiqet nga planet për ndërtimin e një tuneli privat prej rreth 500 metrash, i cili do të lidhte një garazh nëntokësor me rezidencën e tij në Salzburg.

Projekti, i cilësuar nga mediat si “tuneli për një person”, ka shkaktuar reagime të forta publike.

Sipas The Guardian, në vitin 2020 Porsche kishte blerë një vilë historike të shekullit XVII në periferi të qytetit për 8.4 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar kishte siguruar leje për ndërtimin e një rruge private në zonën shkëmbore. Projekti parashikonte lidhjen e një parkingu komunal në qendër të Salzburgut me një garazh nëntokësor pranë rezidencës, ku mund të parkoheshin deri në tetë automjete. Kostoja e tij vlerësohej rreth 10 milionë euro.

Plani ka hasur kundërshtime të forta nga banorët dhe opinionin publik, si për shkak të shkallës së projektit, ashtu edhe për rëndësinë historike të pronës, e cila ka qenë dikur shtëpia e shkrimtarit Stefan Zweig, i cili u largua nga qyteti në vitin 1934 gjatë periudhës së regjimit austrofashist.

Sipas mediave lokale, Porsche tashmë po bën një kthesë në qëndrimin e tij dhe ka nxjerrë në shitje vilën me 12 dhoma, të njohur si “Paschinger Schlössl”. Pronari i ri, sipas raportimeve, mund të vazhdojë projektin e tunelit, nëse respekton afatet e lejes aktuale që skadon në fund të vitit 2028.

Këshilli i qytetit më herët ka refuzuar propozimet për blerjen e pronës dhe shndërrimin e saj në muze në nder të Stefan Zweig, me argumentin se qyteti nuk ka fonde për një blerje të tillë.

Vetë Zweig e kishte përshkruar rezidencën si “romantike, por jopraktike”, duke theksuar se ishte e vështirë për t’u aksesuar dhe e arritshme vetëm përmes një shkalle të gjatë në kodër.

Zemërimi publik ndaj projektit është rritur, me protestuesit që e kanë cilësuar atë si simbol të pabarazisë sociale në një qytet që përballet me krizë strehimi dhe rritje të qirave. Protestat janë zhvilluar nën sloganin “një qytet për të gjithë, jo një tunel për një”.

Ndërkohë, përfaqësues të Partisë së Gjelbër kanë kërkuar madje edhe revokimin e lejes së ndërtimit, duke argumentuar se ajo rrit artificialisht vlerën e pronës.

Prona është nxjerrë tashmë në shitje për rreth 12.7 milionë euro, ndërsa agjentët e pasurive të paluajtshme e konsiderojnë lejen për tunelin dhe garazhin si një element që e bën pronën unike në Salzburg.

Një zëdhënës i Porsche ka konfirmuar shitjen e pronës, pa dhënë arsye për vendimin, por ka cilësuar polemikat rreth projektit si “një diskutim të nxitur nga zilia”. Nga ana e familjes nuk ka pasur komente të mëtejshme mbi çështjen.

Top Channel