Turqia, Montella e humbet qetësinë: Nuk e jap dorëheqjen e nuk dorëzohem. Kritikat të patolerueshme, meritojmë respekt

25/06/2026 11:08

Vincenzo Montella mendonte se ai me Turqinë e tij do të shkonin në ndeshjen e tretë të grupit në botërorin 2026 si kryesuesit te tij, por historitë u shkruan ndryshe dhe tani skuadra e tij do të luajë ndaj SHBA në SoFi Stadium si e eliminuara e grupit.

Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i kombëtares turke Vincenzo Montella u shfaq në konferencën për shtyp të kësaj sfide ku nuk e fshehu një lloj irritomi ndaj atyre që kritikonin dhe i kërkonin largimin.

‘Nuk e jap dorëheqjen dhe nuk dorëzohem-tha Vincenzo Montella-kam ende energji, entuziazëm dhe një zhguall akoma më të fortë, përtej mbështetjes së Federatës. Nëse dikush dëshiron që unë të largohem, të mbledhë mendjen se kjo nuk do të ndodhë’.

Por përpara se të niste me përgjigjet e pyetjeve, Montella mbajti një fjalim për të mbrojtur veten, futbollistët e tij duke refuzuar kritikat që sipas tij ishin shumë të rënda dhe të pamotivuara.

‘Këta futbollistë meritojnë më shumë respekt nga sa iu është dhënë, janë krenaria dhe djemtë e një vendi-tha Montella-janë djemtë e mi, djemtë tuaj. Duhen mbrojtur, kritikuar nëse duhet, por kurrë në aspektin personal dhe me tone fyese siç ka ndodhur në ditët e fundit. Si mund të thuash që humbëm sepse nuk kishte unitet dhe vëllazëri në këtë kombëtare? Jemi me të vërtetë një familje. Jashtë hotelit tonë në Los Angeles ishin 3 persona që na kontestuan dhe më shumë u bënë lajm këta, sesa ata qindra persona që na mbështetën, kjo është e patolerueshme’.

Më pas Montella mbrojti rrugëtimin e bërë nga skuadra e Turqisë që nga momenti kur ai mori drejtimin e saj duke i numëruar një për një sukseset e duke përmendur statistikat e skuadrës së tij në këtë botëror të çuditshëm të saj

‘Jemi ndër të parët nga ekipet për aksionet në zonën kundërshtare, për aksionet në 25 m e fundit të sulmit, të dytët për hyrjet brenda zonës kundërshtarët, të tretët për rastet e krijuara e kështu me radhë-shtoi Montella-është e vërtetë, duhet të shënosh dhe ne nuk ia dolëm, pra kemi gabuar në diçka, por iu afruam kaq shumë…Nëse qoftë edhe 1 nga 61 gjuajtjet e bëra në 2 ndeshje do të kishte hyrë në portë sot do të tregonim një tjetër histori. Për këtë arsye nuk mund të shkatërrojmë gjithçka dhe i kërkoj popullit turk të na qëndrojë pranë’.

Top Channel