Plasi “bomba” në Botëror: “Raphinha është në krizë financiare dhe po lutet për Arabinë!”

24/06/2026 19:46

Kampi i kombëtares së Brazilit po kalon një situatë mjaft të trazuar jashtë fushe gjatë këtij Kampionati Botëror.

Një lajm i publikuar fillimisht nga media braziliane Metropoles ka marrë përmasa virale, pas deklaratave bombastike të Vampetës, ish-futbollist i njohur dhe fitues i Botërorit 2002, në podkastin “Red Cast”.

Akuza shokuese e Vampetës

Sipas Vampetës, sulmuesi i Barcelonës po përballon një situatë kritike që prek jetën e tij private dhe xhepin. “Raphinha po kalon një problem serioz familjar, krahas vështirësive financiare. Ai po lutet që të transferohet te Al-Hilal për të zgjidhur këto çështje. Informacioni më ka ardhur nga njerëz shumë të afërt me situatën te Barcelona,” – deklaroi Vampeta, duke ndezur menjëherë debatet në rrjet.

Familja në kundërsulm: “Gënjeshtra!”

Reagimi i kampit të lojtarit ka qenë i menjëhershëm dhe mjaft i ashpër. Kushëriri i futbollistit, Igor Padilha, i është drejtuar publikisht ish-lojtarit: “Do të duhet t’i shpjegosh këto gënjeshtra, miku im.”

Nga ana tjetër, menaxherët e Raphinhas kanë folur për të përditshmen Mundo Deportivo, duke siguruar se lojtari është i lumtur në Barcelonë dhe i fokusuar totalisht te kombëtarja. Për më tepër, ata sqaruan se e gjithë familja e tij (bashkëshortja, djali, prindërit dhe vëllai) ndodhen së bashku me të në Shtetet e Bashkuara. Edhe bashkëshortja e tij, Natalia Belloli, reagoi përmes një mini-dokumentari në Instagram, ku u bëri thirrje personave me ndikim që të përdorin platformat e tyre me përgjegjësi.

Fakti i vetëm i konfirmuar: Lëndimi sportiv

Përtej thashethemeve për paratë, ajo që mbetet 100% e sigurt është se Raphinha po vuan nga një problem fizik. Ai pësoi një lëndim në kofshën e djathtë (hamstring) gjatë fitores 3-0 ndaj Haitit. Mesfushori Lucas Paqueta pranoi se lojtari është i mërzitur: “Është pak i dëshpëruar. Shpresojmë të mos jetë diçka e rëndë sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne.”

Gjithsesi, stafi mjekësor i Brazilit nuk e ka përjashtuar nga turneu. Lëndimi konsiderohet “i vogël” dhe me anë të një protokolli intensiv rehabilitimi, Raphinha pritet të kthehet pas dy javësh për të ndihmuar ekipin në fazat e mëvonshme. Ajo që është e sigurt, është mungesa e tij e madhe në sfidën e sotme kundër Skocisë.

Top Channel