Gjyqi për çështjen CEZ-DIA është shoqëruar me përplasje mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në sallën e GJKKO-së.
Gjatë deklarimeve të tij, ish-presidenti mohoi çdo ndërhyrje politike apo ndikim në çështjen për të cilën akuzohet, duke thënë se veprimet e ish-bashkëshortes së tij i di vetë ajo.
Meta hodhi poshtë pretendimet për mesazhe apo komunikime me persona të përmendur në dosje, duke i cilësuar akuzat si shpifje dhe një histori të sajuar. Seanca po ndiqet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Meta: Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi.”
Në këtë moment, Monika Kryemadhi i përgjigjet: Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?
Pasi gjykata i tërheq vëmendje, Kryemadhi thotë: Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?
Duke iu referuar deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që ndodhet në sallë.
Gjykata: Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni.
Avokati për çështjet e tjera, për lobimin:
Avokati Cakrani :Të thirren dëshmitarë:
* Petrit Vasili
* Luan Rama
* Elena Gaçe
* Mirela Meko
* Vangjel Tavo
* Endrit Braimllari
* Denis Bruke (GSIS)
* David (GSIS)
* Eriol Braimllari
* Adrian Shatku
Gjithashtu të thirret:
* Ekspert kontabël.
* Ekspert ligjor amerikan për kontratat e GSIS në SHBA, për të verifikuar nëse kompania ka paraqitur kontrata të mëparshme në SHBA.
Dyshimi ynë është që mund të jenë falsifikuar dokumentacionet mes Adrian Shatkut dhe GSIS.
Top Channel