Messi shuan 39 qirinj pa Antonelën dhe fëmijët, por i rrethuar nga “familja” e Argjentinës

24/06/2026 18:32

Lionel Messi feston sot ditëlindjen e tij të 39-të! Për të 12-ën herë në jetën e tij, “Pleshti” nuk do t’i fryjë qirinjtë e tortës pranë bashkëshortes dhe fëmijëve, por i rrethuar nga familja e tij e dytë: Kombëtarja e Argjentinës.

Kapiteni i “Albiceleste” ndodhet aktualisht në Kansas të Shteteve të Bashkuara, aty ku po shkëlqen në Kampionatin Botëror 2026. Me një formë të jashtëzakonshme, ai sapo shënoi dy gola kundër Austrisë, duke arritur në kuotën e pesë golave në këtë Botëror dhe duke u kurorëzuar zyrtarisht si golashënuesi më i mirë në historinë e këtij kompeticioni madhor.

“E vërteta është se nuk mund të kërkoj asgjë tjetër,” – u shpreh Messi menjëherë pas ndeshjes kundër Austrisë. “Faleminderit Zotit, siç e kam thënë disa herë, ai më ka dhënë gjithçka në nivel sportiv. E vetmja gjë që mund të kërkoj është shëndet për mua, për familjen time, për njerëzit që më kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe të mund të vazhdoj t’i shijoj këto momente të arta.”

Edhe pse larg, dashuria e jetës së tij, Antonela Roccuzzo, nuk mungoi me një urim thellësisht prekës në rrjetet sociale, të shoqëruar me disa fotografi familjare:

“Gëzuar ditëlindjen dashuria e jetës sime. ❤️ Të jesh shumë i lumtur sot dhe përgjithmonë. Ne tashmë kemi gjithçka që na nevojitet, sepse të kemi ty. Të dua deri në pafundësi!” – shkroi Antonela.

Përgjigjja e kapitenit nuk vonoi dhe ishte po aq emocionuese: “Të falënderoj shumë jeta ime, edhe unë ju dua jashtë mase!!!”

Nga ditëlindja e tij e 18-të në Holandë, kur u shpall kampion me moshën U-20, e deri më sot kur po luan në moshën 39-vjeçare në Kampionatin e tij të radhës Botëror, jeta e Lionel Messit vazhdon të mbetet një poezi e shkruar me ngjyrat bardhekaltër. Argjentina është në festë dhe e gjithë bota e futbollit gëzon me kampionin!

Top Channel