Botërori 2026/ Bellingham mbuloi gojën, por nuk u ndëshkua me karton të kuq, shpërthejnë polemikat

24/06/2026 12:21

Është një nga rregullat e reja(dhe më të diskutuara) të Botërorit i aplikuar për herë të parë në sfidën Turqi-Paraguaj në dëm të amerikanjugorit, Miguel Almiron. Mesfushori 32 vjeçar hyri në histori pasi u bë i pari futbollist që u ndëshkua me karton të kuq se mbuloi gojën gjatë një bisede me kundërshtarin.

Por në ndeshjen mes Anglisë dhe Ganës, Jude Bellingham nuk mori një trajtim të tillë, ndoshta peshoi mbiemri në fanelë ose ndoshta arbitri në fushë dhe ata në sallën VAR ishin të shpërqendruar.

Por çfarë ndodhi? Shkëndija u bë një faull i kryer nga mesfushori anglez në dëm të Jerome Opoku, pak përpara fundit të pjesës së parë. Pas mbylljes së këtij fraksioni, Bellingham dhe trajneri i Ganës, Carlos Queiroz tentuan të sqaroheshin mes tyre me tone jo aq të qeta. Gjatë diskutimit ndërhynë disa futbollistë të të dyja skuadrave dhe fotografët pikasën futbollistin anglez që sqaronte arsyet e tij me kapitenin ganez Jordan Ayeë duke mbuluar gojën.

Por skuadra arbitrare nuk mori asnjë masë kundër futbollistit të Realit të Madridit që në pjesën e dytë u kthye rregullisht në fushën e lojës duke u zëvendësuar në minutën e 73. Pavarësisht rezultatit 0-0 të sfidës, Bellingham u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, me anglezin që pranoi se këtë çmim e meritonte ta fitonte një futbollist i Ganës.

Në përfundim të ndeshjes Querioz bëri një përmbledhje të episodit. ‘Pata një reagim të shëmtuar, me ndonjë fjalë të pisët-tha trajneri portugez-objektivi im ishte ta qetësoja sepse isha i shqetësuar se Opoku nuk ishte në 100% të formës. Një fjalë e tepërt e ndezi pak tensionin, por u sqaruam. Futbolli nuk është vallëzim në sallon me smoking, janë gjëra që ndodhin’

Ndërsa mesfushori anglez pranoi se kreu një faull ‘idiot’ duke nënvizuar se ka shumë respekt për Queiroz dhe se kjo është thjesht një konkurrencë e shëndetshme.

Top Channel