‘Arbitrat e VAR shkuan për kafe’/ Trajneri i Ganës ironizon pas pretendimeve për një penallti

24/06/2026 11:48

Gana dhe Anglia e mbyllën me barazimin 0-0 ndeshjen mes tyre të vlefshme për raundin e dytë të fazës së grupeve të Botërorit 2026.

Skuadra afrikane gjatë kësaj ndeshjeje pretendoi për një penallti dhe një karton të kuq në dëm të Anglisë, por që nuk u sinjalizua nga klasa arbitrare.

Trajneri i skuadrës afrikane Carlos Queiroz pas përfundimit të sfidës, ironizoi gjyqtarin dhe arbitrat në sallën VAR duke thënë se kishin shkuar për kafe në atë moment.

‘Nuk jam i sigurt nëse VAR funksionon ende në Kupën e Botës. E kemi ende sistemin VAR? A funksionon?-tha Queiroz teksa pa në drejtim të një zyrtari të FIFA në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes-ne kishim shanset tona, ata ishin me fat. Edhe njëherë arbitrat e VAR kishin shkuar pë kafe. Është e natyrshme, edhe unë do të doja të merrja kafe ndonjëherë, por kishte penallti dhe karton të kuq. A keni ndonjë dyshim për këtë? Ju e patë ndeshjen, e patë  apo isha vetëm unë në atë ndeshje. Në fund të ditës, ja pse them se ishte një rezultat i drejtë’

Gana do të mbyllë fazën e grupeve të Botërorit me ndeshjen ndaj Kroacisë, ndërsa Anglia do të luajë me Panamanë.

Top Channel