Nga dentisi i Kepit të Gjelbër te pastori i Iranit, historitë e portierëve të panjohur që u bënë yje të Botërorit

23/06/2026 21:53

Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe, Erling Haaland e Lamine Yamal. Yjet e futbollit nuk po zhgënjejnjë në Botërorin 2026. Por përveç sulmuesve që janë gjithnjë nën dritën e prozhektorëve, po shkëlqejnë edhe disa portierë që deri tani kanë qenë në errësirën e anonimitetit.

Formati me 48 skuadra, i studiuar me detaje dhe i kritikuar nga shumë, ka pasur meritën që të sjellë në vëmendjen e publikut histori futbollistësh për të cilët nuk kishim dëgjuar  thuajse kurrë. Mes atyre që mbrojnë portat e skuadrave ‘të vogla’ ka nga të gjitha profesionet, dentistë, pastorë, ish lojtarë softball, rezerva që nuk e kanë parë praktikisht kurrë fushën me klubet e tyre. Dikush fitoi miliona ndjekës, të tjerë shpresojnë që të fitojnë kontrata të papritura për të vijuar karrierën, të gjithë e dinë se vështirë se do të kenë një vitrinë si kjo.

Vozinha, dentisti i Kepit të Gjelbër ka hyrë tashmë në histori. Ndërthurja me Botërorin fshihej te emri Vozinha që është pseudonimi i Josimar Dias, portieri 40 vjeçar i Kepit të Gjelbër. Babai i tij i vuri këtë emër në nder të Josimar Pereira, mbrojtësi brazilian i krahut, protagonist në Botërorin 1986. Edhe pse ideja e parë ishte që të quante djalin e tij Jorge Valdano si sulmuesi i Argjentinës, por kërkesa e tij u refuzua sepse emri nuk mund të ishte i huaj. Më mirë, duke qenë se Vozinha, një emër i shkurtuar që vjen pas lotëve që derdhte në shtëpo pasi e bullizonin, vendosi të bëjë portierin. Ose më mirë, bëri karrierë të vështirë duke nisur si profesionist në moshën 25 vjeçare në Angola teksa kishte marrë licencën si dentist. Në ndeshjen e parë frenoi Spanjën favorite të botërorit duke bërë disa pritje, fitoi 10 milionë ndjekës në Instagram në vetëm pak orë, por për momentin është pa kontratë pasi i skadoi ajo me Chaves, skuadër e divizionit të dytë të futbollit portugez. Historia e tij që u shoqërua edhe me ardhjen e nënës së tij për ndeshjen e dytë, pasi iu mohua fillimisht viza i emocionoi tifozët në stadium dhe ata që po e ndiqnin nga televizori. Shansi për të fituar një kontratë në nivele të mira’

Room, rekordmeni për Curaçao dhe precedenti me Messin. Disa vjet më i ri, ‘vetëm’ 37 vjeç për Eloy Room, gardianin e portës së Curaçaos. Pas 7 golave të pësuar nga Gjermania, bëri heroin ndaj Ekuadorit teksa e mbajti të paprekur portën në barazimin 0-0 me 15 pritje në këtë ndeshje duke vendosur rekordin për këtë botëror. ‘Duhet të më ngrejnë në statujë në Curaçao…’ ishin fjalët e Room në përfundim të ndeshjes. I lindur në Holandë, ai zgjodhi Curaçaon falë origjinës së babait të tij dhe iu përgjigj thirrjes së trajnerit të atëhershëm Patrick Kluivert. I formuar te Vitesse dhe me një të kaluar edhe te PSV, aktualisht është pjesë e Miami FC, skuadër e të njëjtit qytet si kampionët e Inter Miami të Messit. Kur të dy u përballën me kombëtaret respektive në 2023, Argjentina fitoi 7-0 me 3 gola të Leo Messit me argjentinasin që i dhuroi fanelën e tij. ‘Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pësova shumë gola, por bëra edhe disa pritje ndaj gjuajtjeve të Messit. Ato momente do të më shërbejnë për Youtube’-tha në atë kohë me tone shakaje portieri që është gati të ëndërrojë kalimin e raundit kundër Bregut tyë Fildishtë.

Beinranvand, pastori iranian që ndali CR7 dhe Lukaku. Kur Alireza Beiranvand paraqitet në botërorë nuk është kurrë për të qenë figurant. Portieri i Iranit, 34 vjeç, në 2018 i priti një penallti Cristiano Ronaldos, ndërsa pak ditë më parëi vuri kyçin portës ndaj sulmeve të shumta të Belgjikës me Lukaku, De Bruynë e De Cuyper. Dhe të mendosh që ai ishte i destinuar  të bënte pastorin; që fëmijë, babai i tij ia priste dorezat për ta detyruar që të përqendrohej te puna. Alireza stërvitej duke hedhur gurë, u arratis nga shtëpia dhe bëri gjithçka për të mbajtur veten: bukëpjekës, rrobaqepës, larës xhamash në lavazh makinash ku u ‘specializua’ te makinat SUV për shkak të gjatësisë së tij, 1.98 m dhe aty u ndesh me legjendën iraniane të futbollit Ali Daei. Shumë i ndrojtur për t’i folur dhe kështu ndërmori rrugën më të gjatë; për javë të tëra fjeti jashtë disa qendrave sportive të Teheranit për të ftuar klube të ndryshëm që t’i jepnin një mundësi me një test. Misioni u përmbush dhe pjesa tjetër është praktikisht histori; nga Naft Teheran te Persepolis me një të kaluar të shkurtër te Antverpi dhe më pas kthimi në vendlindje te Tractor. Një rrugëtim i denjë për një skenar filmi dhe në fakt iu dedikua një i tillë, filmi ‘Beyro’ në 2022. Heroi kombëtar iranian hyri edhe në Librin Guinness, rivënia me dorë e topit prej tij ishte më i gjati në një ndeshje futbolli; 61.26 m.

Beach, portieri i tretë; nga softball te debutimi i duartrokitur me Australinë. Patrick Beach erdhi në Botëror si portieri i tretë i mundshëm, por në fakt u bë titullari, duke parakaluar në mënyrë surprizë veteranin Mattheë Ryan të Levantes dhe me shumë meritë, duke parë edhe fitoren e ndeshjes së parë me Turqinë 2-0 dhe një sërë pritjesh shumë të mira. Në humbjen 2-0 kundër SHBA nuk ia doli të bëjë diferencën në të njëjtën mënyrë, do të tentojë sërish ndaj Paraguajit. Ndërkaq 23 vjeçari i Melbourne City shijoj javë të pamendueshme për di kë që deri në moshën 15 vjeçare alternoi futbollin me softballin duke rezultuar edhe disi premtues. Vetëm në sezonin e fundit shpërtheu vërtet si portier; fitoi kampionatin australian si protagonist. E ardhmja në Evropë?

Reparti unik i Skocisë; 3 rezerva me 7 ndeshje në sezon dhe një 43 vjeçar. Nuk është për të gjithë që të paraqitesh në një Botëror me 3 portierë që janë rezerva në klubet respektive dhe të synosh kalimin e grupit. Është ky rasti i Skocisë, që nuk ka asnjë portier titulla, as Angus Gunn që luajti ndaj Haitit dhe Marokut, as Liam Kelly apo Craig Gordon. Të 3 së bashku kanë 7 ndeshje të luajtura në sezonin 2025-26; Gunn me Nottingham Forest ka luajtur vetëm 45 minuta në Premier League kundër Crystal Palace,  Kelly ishte portieri i kupës për Rangers, 43 vjeçari Gordon, futbollisti më i vjetër i grumbulluar në Botërorin 2026, u aktivizua në vetëm 3 ndeshje me Hearts. A do të mjaftojë shpirti skoces për të kaluar grupin për herë të parë në historinë e kombëtares së tyre?

Top Channel