Messi dhe rekordi i 18 golave: I preferuari im? Tani nuk i kujtoj të gjithë…I lumtur për kualifikimin

22/06/2026 22:07

Lionel Messi ishte protagonisti absolut këtë të hënë në ndeshjen e Argjentinës me Austrinë në ndeshjen e radhës së Botërorit 2026.

Kapiteni i skuadrës Albiceleste që pas vetëm 2 ditësh do të festojë 39 vjetorin e lindjes, ishte autori i të dy golave për skuadrën kampione në fuqi të botës në fitore 2-0 që i dha mundësinë Argjentinës të kualifikohet për në 1/16 e finaleve e sidomos i dha mundësinë të shkëputet në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Botërorëve.

‘Jam shumë i lumtur sidomos për fitoren që ishte shumë e rëndësishme për 6 pikët dhe kualifikimin-tha Messi pas përfundimit të sfidës-ishte një ndeshje e vështirë, vuajtëm, ky është Botërori. Cil është goli im i preferuar në 18 të shënuar në botërorë? Tani nuk i kujtoj të gjithë, jam pak i lodhur, duhet të rikuperoj forcat…Dua të shijoj këtë moment me shokët e mi të skuadrës. Pesë gola në 2 ndeshje të Botërorit? Një spektakël por mund të ishin më shumë…Jam i lumtur për gjithçka’.

Top Channel