Aksident në aksin Elbasan-Cërrik, makina përfshihet nga flakët pas përplasjes me furgonin e pasagjerëve Ka nisur gjyqi i themelit për dosjen “Partizani”.
Në seancën e sotme, ashtu si në herët e tjera, nuk ishte i pranishëm në sallë i pandehuri Sali Berisha, raporton për Top Channel, Anila Hoxha.
Në gjykatë është paraqitur si dëshmitar ish-ministri Ylli Pango, i cili është marrë në pyetje nga SPAK për rrethanat e periudhës kur ka ushtruar detyrën.
Gjatë dëshmisë së tij, Pango deklaroi se ngjarjet datojnë rreth 18 vite më parë dhe se është e vështirë të kujtojë detaje apo dokumente konkrete pa u referuar materialeve të kohës. Ai tha se ka shërbyer në disa sektorë dhe se kujtesa e tij për disa vendime administrative është e kufizuar.
Nga ana e prokurorisë së SPAK, pyetjet u fokusuan në administrimin e pronave dhe nëse janë bërë hapa konkretë për marrjen në administrim të territorit në atë periudhë.
Diskutimet në sallë:
SPAK nis pyetjet: Na sqaroni në çfarë periudhe keni ushtruar detyrën e ministrit të Kulturës.
Pango: Nga marsi 2007-2009. Kjo histori daton 18 vite më përpara. Është shumë e vështirë të mbash mend një dokument, një ligj, nëse nuk ka një shkak të madh për ta mbajtur mend. Në media janë publikuar disa dokumente qe më kanë rifreskuar kujtesën. Unë nuk mbaj mend saktësisht, sepse kam punuar në 4 sektorë. Mund të mbaj mend një ligj që kam qenë vetë iniciator, ndërsa këtu di këtë: thuhet që një pjesë mirë e klubit ka qenë e zaptuar nga individë në atë kohë.
Pango: Unë jam rritur në atë lagje, di që dhe pishina nuk funksiononte.
SPAK: Ka qenë apo s’kanë qenë të regjistruara këto territore në pronësi të ministrisë së kulturës
Pango: Nuk e mbaj mend.
SPAK: Ju sapo pranuat që tani e dini që paska qenë një pjesë e zënë. Keni bërë ndonjë përpjekje për t’i marrë në administrim si ministër i kulturës
Pango: Nuk më kujtohet, janë 18 vite para.
Pango: Të jem i sinqertë, s’më ka shqetësuar asgjë në atë kohë që po sulmohej ndonjë terren sportiv. Ne, si kompetencë e Ministrisë së Kulturës, sporti ka qenë në kujdesin e federatave. Kanë qenë shumë më të pavarura.
SPAK: Afrim Tola ju kujton gjë si emër?
Pango: Duhet të vras mendjen që ta kujtoj. Në media më ka figuruar.
SPAK: Nga aktet rezulton se Violeta Shqevi përmes një memo ju bën me dije se ish fushat e basketbollit janë rrethuar dhe janë zënë forcërisht dhe ka kërkuar miratimin tuaj për regjistrimin.
Pango: Përgjigja e kësaj shkrese, drejtoresha kërkesën nuk e ka bërë si njohëse e juridiksionit. Mund ta vërtetoni në protokoll, në një nga mbledhjet e qeverisë kam pyetur kryeministrin: Pse të kemi ne kaq pak asete dhe t’i lëmë të gjitha te Ministria e Ekonomisë? Nuk mu dha përgjigje. Nuk kishim kaq asete që të fillonim ca procedura, nuk mendoja se ma jepte nën administrim njeri në atë kohë. Do ishte ëndërrimtare.
SPAK: Në një shkresë të 8 majit 2007, i jeni adresuar Këshillit të Ministrave për disa ndryshime në ligjet për sportet, që objektet sportive të jepen me koncesion, me kusht që të mos ndryshojë destinacioni. Pse e keni propozuar këtë?
Pango: Në gjithë botën, klubet sportive, nëse gjen koncesionar, ke ndihmuar në zhvillimin e sporteve. Në këtë sens, mendoj se e kam bërë këtë mbi bazën e idesë që, duke pasur koncesione, do të zhvillonim sportin.
Në një nga mbledhjet e para të qeverisë, u kërkua të ecej me privatizimet. Mua më rezultoi të kisha në varësi Qendrën e Derdhjes së Monumenteve të Kulturës, një qendër të arteve, si edhe kompleksin shumësportësh. Ajo pjesë që duhet të merrej nga ministria duhej të kishte një dokumentacion. Që nga qeverisja Nano është dhënë urdhri që të merrej nën administrim nga Ministria.
Unë jam rritur në atë lagje, që fëmijë. Di që edhe pishina aty nuk funksiononte, për shkak se kishte një “pushtim”. Ju thashë që kjo është një memorie e ngjizur, nga çfarë mbaj mend, por edhe nga dokumente që kam lexuar më vonë, të publikuara në media.
Për të marrë në administrim këto objekte nga ministria nuk më kujtohet. Edhe sa i takon faktit nëse ka pasur ose jo aktivitet klubi shumësportësh Partizani, nuk më kujtohet. Nuk e mbaj mend nëse ka qenë e regjistruar ndonjë shoqatë. Unë nuk kujtoj që po sulmohej apo përvetësohej ndonjë terren sportiv. Me sportin nuk kam pasur probleme. Më shumë në fokus kam pasur turizmin dhe trashëgiminë kulturore. Shtetasin Afrim Tola e kam dëgjuar si emër së fundmi. Nëse e shoh si fytyrë, mbase e kujtoj.
Ish-drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi, më ka vënë në dukje se kishte kërkuar vijimin e një procedure për regjistrim, për shkak se një pjesë e territorit ishte rrethuar dhe disa prona ishin zaptuar. Më kujtohet se ma kanë përmendur oficerët në SPAK kur më kanë pyetur. Violeta nuk e njihte mirë këtë problem nga ana juridike. Nuk më kujtohet nëse kam bërë gjë 18 vjet përpara për shkak të asaj shkrese. Nuk e di sipërfaqen e ish-kompleksit sportiv Partizani. Logjika që po kërkoj unë është që një ministër që mbulonte 4 sektorë nuk mund të kujtojë detaje të tilla.
SPAK: Ju kujtohet shkresa e disa familjeve, mes tyre Begeja, në 2007 për privatizimin?
Pango: Këtë shkresë e kam lexuar këtë vit dhe, nëse ka ekzistuar, nuk mund ta kujtoj para 18 vitesh. Kam dhënë një pëlqim.
SPAK: Në 2008 i jeni drejtuar Këshillit të Ministrave, ku keni shtuar edhe klauzolën e privatizimit. Pse lindi nevoja? Pse propozuat ndryshime të reja të ligjit?
Pango: Nuk ka kontradiksion. Këtë e mbaj mend. Këtë iniciativë nuk e kam marrë unë shprehimisht, nuk më ngacmonte diçka. Unë këtu, me logjikë, them: Është iniciativë qeveritare. Jo nga unë si ministër, por nga qeveria.
Mbarojnë pyetjet e SPAK. Pyet avokatja e Berishës: Ju thatë lidhur me Violeta Shqevin, çfarë kishte për detyrë? Kishte tagër për regjistrim pronash?
Pango: As unë nuk e kisha atë tagër. Ne nuk kishim asete.
Avokatja e Berishës: Jeni në dijeni për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave? Mund të jepej me koncesion një objekt që ishte pushtuar?
Pango: Ne kemi punuar për privatizimin në bazë të një vizioni se ishte primare për qeverinë.
Avokatja e Berishës: Në lidhje me klubin shumësportësh Partizani, keni folur me Berishën? Malltezin e njihni?
Pango: Nuk më kujtohet ta kem folur me Berishën. Nuk kam asnjë bisedë në kujtesë, as me Berishën, as me Malltezin lidhur me këtë çështje.
Top Channel