Moment i sikletshëm në Shtëpinë e Bardhë/ Trump nuk arrin t’i vendosë medaljen veteranit, detyrohet ta lidhë me nyjë para kamerave

19/06/2026 08:33

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u përball me një moment të sikletshëm gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ku po nderonte tre veteranë ushtarakë me Medaljen e Nderit, dekorata më e lartë ushtarake amerikane.

Gjatë ceremonisë, Trump pati vështirësi t’i vendoste medaljen në qafë Majorit të Ushtrisë, Nicholas Dockery. Siç u pa edhe në pamjet e publikuara, presidenti amerikan u përpoq për disa sekonda ta fiksonte medaljen, por pa sukses. Pas një momenti ngurrimi dhe heshtjeje, ai zgjodhi një zgjidhje praktike, duke lidhur shiritin e medaljes me një nyjë.

Ndryshe ndodhi me Majorin e Marinës, James Capers Jr., të cilit Trump ia vendosi medaljen pa asnjë problem.

Medalja e Nderit iu dha tre veteranëve për akte të jashtëzakonshme heroizmi në Vietnam dhe Afganistan. Përveç Capers Jr. dhe Dockery, dekorata iu akordua pas vdekjes edhe Kolonelit të Marinës, John Ripley, i cili ndërroi jetë në vitin 2008.

“Këta janë burra të shkëlqyer, njerëz të shkëlqyer. Ju falënderojmë dhe nuk do t’ju harrojmë kurrë”, deklaroi Trump gjatë ceremonisë.


James Capers Jr., 88 vjeç, u nderua për guximin e treguar gjatë një misioni në Vietnam në vitin 1967. I plagosur rëndë pas një shpërthimi mine, ai mori komandën e njësisë së tij, thirri mbështetje ajrore dhe siguroi evakuimin e të gjithë ushtarëve të plagosur përpara se të largohej vetë nga zona e luftimeve.

Nicholas Dockery u dekorua për veprimet heroike në Afganistan në vitin 2012, kur njësia e tij u përball me një pritë nga rreth 150 luftëtarë talebanë. Ai shpëtoi ushtarë të plagosur nën zjarr, eliminoi dy sulmues që rrezikonin jetën e një kolegu dhe refuzoi të largohej nga zona derisa të gjithë të plagosurit të transportoheshin në siguri.

Ndërsa Koloneli John Ripley u nderua pas vdekjes për një operacion të jashtëzakonshëm në Vietnam në vitin 1972, kur vendosi i vetëm rreth 500 kilogramë eksplozivë për të shkatërruar një urë strategjike, duke penguar avancimin e mbi 30 mijë ushtarëve dhe qindra tankeve të Vietnamit të Veriut.

Ceremonia u shoqërua me emocione dhe vlerësime për sakrificat e veteranëve, ndërsa momenti i Trump me medaljen tërhoqi gjithashtu vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale.

Top Channel