Shtatë botërorë falas, falë një….tape shisheje, historia e pabesueshme e zonjës Maria

18/06/2026 10:24

Një histori e pabesueshme vjen nga Ekuadori dhe që media vendase e ka treguar me shumë befasi por që ka edhe një lloj keqardhje për mënyrën sesi përfundon ajo.

Është kjo historia e María del Jesús Pinargote Zambrano, një prej kurioziteteve të lidhura me futbollin. E lindur në lagjen e Canuto në kantonin Chone (Manabí) në Ekuador, zonja Maria, sot mbi 70 vjeç, në 1998 fitoi një konkurs promocional të Coca Cola që i dhuroi një çmim unik; të udhëtojë përjetë falas në Kupat e Botës të organizuara nga FIFA me të gjitha shpenzimet e paguara dhe me mundësinë për të marrë me vete edhe një shoqërues.

Sipas asaj që tregon media ekuadoriane, Maria mori pjesë në promocion duke plotësuar një kupon të fituar duke shkëmbyer tapat e shisheve të Coca Cola. Pasi plotësoi disa kupona dhe i hodhi në një vazo, në 14 qershor të 1998 mori telefonatën qe e informonte për fitoren e këtij konkursi. Në fillim ajo mensoi se ishte një shaka dhe i kërkoi bashkëshortit që të verifikonte informacionin. Por e gjithë kjo rezultoi e vërtetë. Përpara se të fitonte çmimin, María del Jesús nuk kishte udhëtuar kurrë me avion e as nuk kishte dalë ndonjëherë nga Ekuadori.

Kështu destinacioni i saj i pare ishte Botërori i Francës në 1998 dhe që nga ai moment ajo ka qenë e pranishme në edicionet pasardhëse; Kore-Japoni 2002, Gjermani 2006, Afrikë e Jugut 2010, Brazil 2014, Rusi 2018 dhe Katar 2022. Në total ajo ka qenë e pranishme në 7 Kupa të Botës. Gjatë udhëtimeve ajo ka qenë gjithnjë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj që ndërroi jetë pak vite më parë dhe më pas nga të afërmit më të ngushtë

Gjithsesi, edhe pse Botërori 2026 do të ishte pjesëmarrja e 8 radhazi e saj, mediat ekuadoriane bënë të ditur se disa probleme shëndetësore kohët e fundit e penguan Zonjën Maria të udhëtonte për në edicionin e SHBA, Kanadasë dhe Meksikës. Kurioziteti i fundit, çmimi nuk konsistonte vetëm te biletat e ndeshjes, por përfshinte fluturimet dhe të gjithë logjistikën për të qenë në çdo Botëror. Motiv për të cilin Maria Del Jesus kaloi nga një person që nuk kishte dalë kurrë nga vendi i saj te dikush që ka vizituar të gjithë botën.

Top Channel