Diomande dhe letra prekëse për motrën e ndarë nga jeta: Do të përshëndes Ronaldon për ty, nuk jam më njerëzor

18/06/2026 14:58

Yan Diomande, talenti i Bregut të Fildishtë i dedikoi një letër prekëse për motrën e tij që i nda nga jeta në moshën 15 vjeçare.

‘E dashur Roxane, të kujtohet kur dikush më bleu një fanellë false të Manchester United dhe unë shkrova sipër Ronaldo 7 me një penë të zezë. Nuk e dimë nëse ishim të pasur apo të varfër. Njihnim vetëm lumturinë-shkruan fantazisti i Leipzig-të kujtohet kur më dhuruan këpucët e para të futbollit dhe unë fjeta me to? Që fëmijë, luaja gjithnjë me ato sandale plastike të bardha. Edhe tani, kur kthehem në shtëpi, luaj ende. Është tradita jonë’

Diomande e vijoi më tej lëtrën e tij

‘Të kujtohet kur u testova me Bournemouth? Te Chelsea, Rangers, Olympiacos, Crystal Palace? Edhe Eze e Olise m’u afruan pas stërvitjes dhe më thanë: ‘ej djalosh, je me të vërtetë i zoti’. Por gjithsesi nuk më morën-vijoi më tej Diomande-as skuadrat e MLS nuk më donin. Nuk e dija përse. Nuk më dhanë asnjë shpjegim. Të rriturit u morën me të gjitha. Më shëtitën në të gjithë Evropën dhe të gjithë vazhdonin të më thonin jo. Viza më skadoi. Ëndrra ime kishte mbaruar. Më kthyen në Afrikë dhe qamë së bashku. Ti ishe ajo që nuk reshti kurrë së besuari te unë’.

Dhe kjo deri në momentin që u transferua në Madrid

‘Disa javë më vonë nënshkrova me Leganes dhe këtë radhë derdhëm lot krejt të ndryshëm-vijon rrëfimi rrënqethës i Diomande-atëherë ndjeja akoma emocione, kurse tani nuk ndjej më asgjë. Është si të mos jem më njerëzor. Që kur ke vdekur, jam bosh. Nuk besoj se derdha lot ditën kur më thanë se ishte larguar përgjithmonë. Isha i shokuar. Ishte pak javë pas debutimit me Leganes. Kush debuton kundër Realit të Madridit në moshën 18 vjeçare? Ishte çmenduri. Një ëndërr e bërë realitet që më pas u shndërrua në makth’.

Tani, vetëm 19 vjeç Diomande po përjeton ëndrrën e tij dhe po luan në një Botëror duke zbuluar se objektivi i tij në futboll është të bëhet lojtari më i mirë në botë për të treguar se motra e tij kishte të drejtë.

‘Tani jam në Botëror, me të vërtetë. Vëllai yt do të luajë për Bregun e Fildishtë si Drogba, si Yaya, si Gervinho. Nuk e shoh si një ndeshje, e shoh si një skenë. Ky është shansi im për t’i treguar të gjithë botës atë që ti pe te unë. Sa herë që shënoj do të bëj të mundur që të gjithë të dinë emrin tënd. Do të bëj që mos të të harrojnë. Gjithnjë ke thënë se mund të isha më i mirë se Cristiano. Nëse do ta shoh, do ta përshëndes për ty. Do të bëj atë që ke parashikuar, të betohem. Edhe përpara se të kisha këpucët e vërteta, iu thoje të gjithëve: ‘vëllai im do të bëhet futbollisti më i mirë në botë’. Do të të tregoj se kishe të drejte, ose do të vdes duke tentuar. Vëllai yt, Yan’.-përfundonte letra shumë prekëse dhe emocionuese e futbollistit nga Bregu i Fildishtë.

Top Channel