Brazili, ndaj Haitit duhet fitorja, Ancelotti rigjen Neymar dhe përgatit revolucionin

18/06/2026 13:32

Carlo Ancelotti përzien kartat në prag të ndeshjes me Haitin. Brazili zhvilloi një pjesë të parë të tmerrshme në ndeshjen me Marokun, por e përmirësoi lojën në 45 minutat e dyta, por që nuk i mjaftoi për të marrë 3 pikët. Kundër Haitit Seleçao ka vetëm një mision; 3 pikët për të mos e komplikuar rrugëtimin në këtë Botëror.

Trajneri Carlo Ancelotti e ka një motiv për të buzëqeshur; është rikthimi i Neymar me grupin. Shënuesi më i mirë në historinë e 5 herë kampionëve të botës përbën një plus psikologjik të çmuar për të gjithë skuadrën dhe vetëm të shohësh atë në fushë, te kundërshtarët krijohet një efekt jo të vogël që gjeneron ankth. Përsa i përket bashkëjetesës në aspektin taktik me Vinicius dhe Raphinhan, Ancelotti e ka eksperiencën e nevojshme për t’i menaxhuar.

Kush del e kush hyn.

Mbrojtja është reparti që është vënë menjëherë në bankën e të akuzuarve; shkak paraqitja e dobët e Roger Ibanez që është qendërmbrojtës, por që ndaj Marokut luajti si mbrojtës i djathtë. Në minutën e 45 Ancelotti e uli në pankinë për të hedhur në fushë Danilon me këtë të fundit që nuk bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por arriti të mbajë pozicionin e tij dhe u duk komod me zotërimin e topit. Dy qendërmbrojtësit, Marquinhos e Gabriel, u përgjumën pak në momentin e golit të Saibari duke bërë të njëjtën lëvizje, në vend që të mbulonin pozicionet e tyre në thellësi dhe të dilnin nga presion, por që të dy janë dy fenomenë dhe të papreksjëm dhe kanë nevojë vetëm për kohë për të gjetur sintoninë. Në krahun e majtë, Douglas Santos ishte dinjitoz dhe i kujdesshëm duke marrë në konsideratë faktin se ndeshja e tij duhej të mjaftohej me mbulimin e hapësirave që nuk arrinte të bënte Vinicius. Do të konfirmohet.

Casemiro është nota tjetër vërtet e dhimbshme në mesfushë; u shfaq në shumë vështirësi fizike, media braziliane nuk ia kurseu kritikat për shpërqendrimet taktike dhe kryerjen e shumë pak filtrimeve. Ish futbollisti i Realit të Madridit është i besuari i Ancelottit, por është e vërtetë që Danilo Santos dhe Fabinho edhe pse nuk bënë ndonjë gjë të jashtëzakonshme ishin më mirë se ai, ndërsa Bruno Guimaraes, është i paprekshëm. Si lojtar universal që është bëri një paraqitje fizike dhe cilësore, ajo që pritet prej tij. Ndoshta ëndërronte të luante në këtë botëror me Joelington, por dëmtimer dhe zgjedhjet e Ancelottit nuk e bënë të mundur këtë. Me shumë mundësi do të mbetet jashtë fushe edhe Paqueta; edhe pse ka kualitete, ai futi skuadrën në telashe dhe ishte pak konkret  e për më tepër ishte në një pozicion që nuk i përshtatej

Përsa i përket sulmit, Igor Thiago do të ulet në stol në ndeshjen ndaj Haitit. Duke e parë që të vinte vërdallë në fushë duke gabuar çdo top në ndeshjen ndaj Marokut të sjell në mendje fantazmën e Fred që luajti titullat në Botërorin 2014. Për këtë arsye, Ancelotti po vlerëson aktivizimin e Endrick, që kërkohet me forcë pak a shumë nga të gjithë. Nuk është një qendërsulmues fizik, por ka në gjak talentin tipik të atij që di të ndezë lojën. Por nuk mund të përjashtohet kalimi në skemën 4-3-3 me Neymar në qendër të sulmit, Vinicius në të majtë dhe Raphinha në të djathtë për të lejuar mesfushën të jetë më e mbuluar.

Ndeshja me Haitin, një kundërshtar i lehtë në letër, mund t’iu shërbejë 5 herë kampionëve të botës për të gjetur distancat, masat dhe gjeometritë për ndeshjet më të vështira. Carlo Ancelotti dhe stafi i tij kanë detyrën të rregullojnë atë çfarë nuk funksionoi sepse Botërori nuk fal, sidomos kur vesh fanellën më të rëndë në botën e futbollit.

Top Channel