Lamtumirë humbje e kohës, në Portugali-RD e Kongos aplikohet norma e re e FIFA
Kur u fut në fushën e lojës për debutimin në kampionatin botëror 2026, Cristiano Ronaldo mbante mbi supe peshën e një karriere legjendare.
Në moshën 41-vjeçare, në Botërorin e tij të gjashtë, pritshmëritë ishin të mëdha. Megjithatë, barazimi përfundimtar 1-1 i Portugalisë përballë Republikës Demokratike të Kongos u pasqyrua më së miri nga paraqitja e një kapiteni që u duk gjithçka, përveçse vendimtar.
Shifrat e pjesës së parë dëshmuan një zbrazëti alarmante dhe një izolim total të sulmuesit. Me 0 driblime të tentuara, 0 goditje drejt portës, 0 duele të fituara dhe 0 faulle të fituara, njeriu që dikur ishte sinonim i rrezikut dhe i shpërthimit, kaloi 45 minuta si një figurë thjesht dekorative. Më shqetësues ishte fakti i qarkullimit të topit: nga 16 pasime të tentuara, 15 prej tyre u kthyen prapa. Siguria prevaloi mbi ambicien, duke zgjedhur gjithmonë pasimin e lehtë te mbrojtësit në vend të inkursioneve drejt zonës kundërshtare.
Ndonëse u prit një reagim në pjesën e dytë për të ndryshuar fatin e takimit, përfundimi i ndeshjes me shifrat 1-1 e konfirmoi vështirësinë e Ronaldos për të lënë shenjë. Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur hapësira dhe për t’u përfshirë në lojë pas ndryshimeve taktike, shkëndija e njohur mungoi. Mbrojtja e disiplinuar e Kongos arriti ta neutralizonte plotësisht, duke i mohuar çdo mundësi për të përdorur instinktin e tij “vrasës”.
Kjo paraqitje ngre pikëpyetje të mëdha për vazhdimësinë e tij në këtë turne. Ndeshjet e një kampionati botëror kërkojnë një ritëm dhe një intensitet që ndryshon rrënjësisht nga niveli i kampionateve ku ai është aktivizuar së fundmi. Për të mbajtur gjallë ëndrrën e tij në këtë kompeticion, Ronaldo duhet të dëshmojë se mund të jetë ende një rrezik real, e jo thjesht një emër i madh që gjeneron statistika boshe dhe pasime prapa. Ora po tiktakon dhe Portugalia ka nevojë urgjente për versionin e tij më të mirë.
Top Channel