Portugalia debuton në Botëror, shpërthejnë polemikat në parlamentin vendas

17/06/2026 10:51

Portugalia debuton këtë të mërkurë në Botërorin 2026 teksa në ndeshjen e parë do të përballet me Republikën Demokratike të Kongos dhe kjo ka trazuar ujërat në parlamentin portugez

Shkaku është ftesa e bërë nga Federata Portugeze e Futbollit kryetarëve të grupeve parlamentare për të udhëtuar drejt Houstonit për të ndjekur ndeshjen. Në fillim disa prej të ftuarve sidomos liderët e së djathtës dhe të qendrës së djathtë dukeshin gati për të pranuar edhe pse rregullorja i ndalon deputetët të marrin dhurata me vlerë mbi 150 euro pasi përbën kufizim të pavarësisë së ushtrimit të mandatit.

Por e njëjta rregullore pranon gjithashtu përjashtime në raste ftesash apo ofertash mikëpritjeje të bëra jo në drejtim të deputetevë në mënyrë individuale, por si në këtë rast, partive.

Gjithsesi ftesa e Federatës portugeze, gjeneroi një polemikë politike që shtyu pjesën më të madhe të kryetarëve të grupeve të refuzojnë ftesën. Deputeti i Bllokut të majtë, Fabian Figueiredo, madje i kërkoi publikisht Federatës që të dërgojë në SHBA në vendin e tij një person të përfshitë në katasytrofën e provokuar nga moti i keq në dimrin e fundit ose një punonjës të Mbrojtjes Civile. Kështu, në Houston do të shkojë vetëm José Pedro Aguiar-Branco, presidenti i Asamblesë së Republikës. Pëe më tepër, pikërisht këtë të mërkurë është parashikuar që seanca e zakonshme dyjavore e pyetjeve të përafrohet me një orë në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të ndjekin ndeshjen.

Top Channel