Ndryshimi i madh në Botërorin 2026: Çfarë fshihet pas simboleve sekrete në fanellat e Messit dhe Mbappé?

17/06/2026 18:43

Kupa e Botës 2026 nuk do të sjellë vetëm spektakël në fushë, por edhe një risi vizuale që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e sportdashësve.

FIFA ka vendosur të krijojë disa emblema (medalje) të veçanta, të cilat do të vendosen në mëngët e fanellave të disa lojtarëve të përzgjedhur. Ky vendim vjen si një formë nderimi për ata që kanë pasur karriera të jashtëzakonshme ose që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Botërorët e fundit.

Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Thibaut Courtois janë ndër emrat e mëdhenj që do të mbajnë këto simbole, megjithatë, jo të gjithë do të kenë të njëjtin kuptim në krahun e tyre.

Medalja “Trashëgimia”, e rezervuar për legjendat

Lionel Messi, si kampion bote në fuqi, do të zbresë në fushë në Botërorin e tij të gjashtë. Për këtë arritje historike, ai do të mbajë në mëngë medaljen e titulluar “Legacy” (Trashëgimia). Kjo emblemë është ekskluzivisht e rezervuar për ata lojtarë që arrijnë të luajnë në të paktën pesë edicione të Kupës së Botës.

Përveç yllit argjentinas, këtë simbol prestigji do ta mbajnë edhe:

  • Cristiano Ronaldo (Portugali)
  • Luka Modric (Kroaci)
  • Manuel Neuer (Gjermani)
  • Guillermo Ochoa (Meksikë)

Mbappé dhe “Këpuca e Artë” e Katarit

Për yllin francez, Kylian Mbappé, qëllimi i emblemës është të kujtojë dominimin e tij absolut në Botërorin e kaluar. Simboli në fanellën e tij nderon faktin që ai fitoi “Këpucën e Artë” në Katar 2022, ku shpërtheu me plot 8 gola të shënuar në 7 ndeshje.

“Dorezat e Arta” marrin vlerësimin e merituar

FIFA nuk ka harruar as “gardianët” e portës. Portierët që janë shpallur më të mirët në edicionet e kaluara të Kupës së Botës do të mbajnë gjithashtu një medalje të veçantë në mëngë. Ky grup i “mureve” të padepërtueshëm përfshin:

  • Manuel Neuer (për titullin e fituar në vitin 2014)
  • Thibaut Courtois (për vitin 2018)
  • Emiliano Martinez (për vitin 2022)

“Debut”, Mirëseerdhët në skenën e madhe!

Në krahun tjetër, Botërori është edhe vendi ku lindin yjet e rinj. Për lojtarët që përjetojnë këtë kompeticion magjik për herë të parë në karrierën e tyre, FIFA ka krijuar medaljen “Debut”. Nga kombëtarja e Francës, dy talentet që do të kenë nderin ta mbajnë këtë simbol në mëngë janë Rayan Cherki dhe Michael Olise.

Kupa e Botës 2026 premton të jetë një ndërthurje e bukur mes trashëgimisë së veteranëve dhe energjisë së djemve të rinj, e gjitha e stampuar në mëngët e fanellave që do të hyjnë në histori.

Top Channel