Ylli i Marokut drejt transferimit në Mynih, Bayerni arrin marrëveshjen me klubin holandez

15/06/2026 12:23

Transferimi i Ismael Saibarit te Bayern Munich është shumë pranë finalizimit. Sipas “Bild”, kampionët e Gjermanisë kanë arritur marrëveshje me PSV Eindhoven për kartonin e mesfushorit ofensiv maroken, i cili është kthyer në një nga zbulimet e muajve të fundit.

Marrëveshja mes dy klubeve është në pritje vetëm të kryerjes së testeve mjekësore, ndërsa në Gjermani tashmë konsiderohet i kryer fakti që Saibari do të veshë fanellën e Bayern në sezonin e ardhshëm.

Ky transferim vjen pas javësh negociatash mes palëve dhe përbën një nga prioritetet e merkatos për klubin bavarez, sidomos pas dështimit për të siguruar shërbimet e Anthony Gordon.

Sipas raportimeve, shuma e transferimit pritet të arrijë rreth 55 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset dhe variablat. PSV kishte kërkuar një paketë afër 60 milionë eurove, ndërsa Bayern synonte ta mbyllte marrëveshjen nën 50 milionë euro, duke arritur kështu një kompromis mes palëve.

Situata përshpejtohet edhe nga performancat e fundit të lojtarit, i cili ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg pas paraqitjeve të mira dhe golit të shënuar në Botëror ndaj Brazilit (1-1).

Top Channel