Sulmi rus mbi katedralen simbol të Kievit, Zelensky: Krim ndaj kulturës së krishterë

15/06/2026 12:30

Një sërë ndërtesash në Ukrainë u përfshinë nga flakët prej valës më të fundit të sulmeve ruse, e në mesin e tyre ishte edhe një nga monumentet fetare më të rëndësishme të vendit.

Manastiri i Lavrës Kiev-Pechersk, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i themeluar në vitin 1051, u dëmtua rëndë në një sulm të drejtpërdrejtë, sipas Tymur Tkachenko, kreut të administratës ushtarake të kryeqytetit. Për episodin e përshkruar si një “sulm brutal ndaj popullit dhe trashëgimisë ukrainase”, reagoi edhe presidenti Volodymyr Zelensky.

“Një sulm i Moskë i vuri flakën katedrales tonë ikonike, historia e së cilës daton që nga shekulli i 11-të. Dhe ky është një nga krimet më të rënda të Rusisë kundër kulturës së krishterë deri më sot. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tashmë e ka shuar zjarrin në çatinë e katedrales”, u shpreh ai.

Sipas Zelenskyt, Rusia lëshoi më shumë se 60 raketa në Kiev gjatë natës. Lavra, siç thotë Corriere della Sera, nuk është vetëm një monument historik. Ajo është gjithashtu qendra e një përplasjeje fetare dhe politike të cilën lufta e ka thelluar më tej. Për vite me radhë, kompleksi ka qenë nën ndikimin e Kishës Ortodokse Ukrainase të lidhur me Patriarkanën e Moskës. Në anën tjetër qëndron Kisha Ortodokse e Ukrainës, e njohur si autoqefale që nga viti 2019 dhe e mbështetur nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës.

Sulmi ndaj Katedrales po konsiderohet si pjesë e strategjisë së Kremlinit për të goditur jo vetëm infrastrukturën dhe popullsinë civile, por edhe simbolet e identitetit historik të Ukrainës.

Top Channel