E pabesueshme në Botëror/ Nga një biletë avioni te goli: Si e “vodhi” SHBA sulmuesin e njohur falë një kompanie ajrore!

13/06/2026 16:25

Folarin Balogun është padyshim një nga armët më të forta të sulmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë Botëror, por historia se si ai përfundoi duke mbajtur veshur këtë fanellë ngjan më shumë me një skenar filmi sesa me një përzgjedhje të zakonshme sportive.

Sulmuesi, i cili u rrit në Angli dhe ka origjinë nga Nigeria, mund të luante lehtësisht për secilën prej këtyre tri kombëtareve, por fati i tij u vulos nga një udhëtim avioni përpara se ai të lindte.

Prindërit e tij me origjinë nigeriane po jetonin në Londër kur nëna e tij, e cila punonte për një kompani ajrore (çka i mundësonte udhëtime të shpeshta dhe me kosto të ulët), vendosi të bënte një udhëtim pushimesh drejt Nju Jorkut. Pikërisht gjatë këtij qëndrimi në SHBA, ajo lindi djalin e saj, Folarin, në një spital në Brooklyn.

Edhe pse familja u rikthye në Angli vetëm dy javë pas lindjes së tij, ku Balogun u rrit dhe u formua si futbollist në akademia e njohur e Arsenalit, ligji amerikan i tokës (jus soli) i garantoi atij automatikisht nënshtetësinë amerikane.

Vite më vonë, kur lufta mes Anglisë, Nigerisë dhe SHBA-së për shërbimet e tij arriti kulmin, Federata Amerikane e Futbollit shfrytëzoi pikërisht këtë pasaportë të fituar “në qiell”. Pasi llogaritë e tifozëve amerikanë madje gjurmuan fluturimet e tij drejt Floridës për bisedime sekrete, Balogun bëri zgjedhjen përfundimtare. Një biletë e thjeshtë avioni e prindërve të tij vite më parë, sot i ka siguruar Amerikës sulmuesin e saj të Botërorit.

Top Channel