Milan, lamtumirë Rangnick, zyrtarizohet rinovimi me Austrinë deri në 2028
Otto Rehhagel në pankinën e Greqisë në 2010 vendosi rekordin si trajneri më i vjetër në moshë në një Botëror. Ky rekord është vetëm çështje orësh që të thyhet pasi gjithçka do të ndodhë ditën e dielë në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Curaçaos ku për këtë të fundit ai që po i ndez motorët është pikërisht Dick Advocaat që do të përjetojë këtë Botëror në moshën 78 vjeçare. Është ‘gjyshi’ i Kupës së Botës që përballet me brezin e ri.
‘Duhet te kesh pak fat që njerëzit të të duan ende në këtë moshë. Nëse nuk të duan do të thotë se ke marrë fund-tha Advocaat në një intervistë për ‘The Guardian’-vazhdoj të marr telefonata dhe është e vështirë të refuzoj. E kam thënë shumë herë që do ta lë me kaq, pastaj më telefonojnë dhe unë e përfundoj duke pranuar ofertën’
Edhe pse e ushtron profesionin e trajnerit që në moshën 32 vjeçare kur vari këpucët në gozhdë, Advocaat duket se nuk i shterojnë kurrë bateritë. I adoptuar nga dy mite si Rinus Michels dhe Leo Beenhakker si asistent te Holanda, Advocaat u bë trajner i parë i ‘Portokallinjve’ në prag të Botërorit 1994 që u zhvillua në SHBA ku Holanda u eliminua me penallti në çerekfinale nga Italia e Roberto Baggio
Gjatë më shumë se 30 viteve, kur drejtoi edhe Korenë e Jugut në Botërorin e 2006, Advocaat shëtiti gjysmën e botës duke e mbajtur të paprekur pasionin duke drejtuar Rangers, Zenit, PSV apo AZ Alkmaar e deri në drejtimin e Sunderland drejt një mbijetese mrekulli në Premier League në sezonin 2014-15. Që nga ai moment, është ndjesia që Advocaat është i palodhshëm dhe gjen motivin në çdo sfidë që merr përsipër.
‘Kualifikimin e kombit më të vogël në botë në Kupën e Botës është një nga momentet më kulmore të karrierës sime-pohoi Advocaat pas arritjes së mrekullueshme te Curaçaos përpara disa muajsh
Vetëm problemet e shëndetit të së bijës e detyruan të ngrinte këmbën nga gazi dhe të lëjë postin e tij në muajin shkurt. ‘Familja është mbi gjithçka’- u shpreh ai. Por kur rifitoi forcat nuk dyshoi të marrë trenin e Botërorit. Ndihet si në shtëpi te Curaçao; lista e tij e të grumbulluarve ishte plot me ‘bashkëpatriotë? të lindur në Holandë.
Si për ironi të fatit, Dick Advocaat do të bëhet trajneri më veteran në historinë e Botërorëve në ndeshjen me Gjermaninë, e drejtuar nga Julian Nagelsmann që në moshën 38 vjeçare rezulton të jetë trajneri më i ri në moshë në këtë Kupë Bote. Për të kuptuar më mirë idenë, ‘Gjenerali i Vogël’, kishte 6 vjet në botën e trajningut në 1987 kur lindi Nagelsmann
Por historitë nuk mbyllen këtu, në grupin e Curaçaos janë edhe Ekuadori dhe Bregu i Fildishtë që në pankinë kanë Sebastian Beccacece dhe Emerse Fae, dy prej 5 trajnerëve më të rinj në Botërorin aktual. Diferenca mes brezave është e madhe por Advocaat vazhdon ta ndjejë veten një ‘djalosh’
Advocaat për të cilin ky është edicioni i tretë i kupës së botës është plotësisht i ndërgjegjshëm për limitet e Curaçaos. ‘Të kalojmë në raundin tjetër është objektivi ynë-tha Advocaat-është diçka e paprecedentë dhe emocionet në Curaçao janë shumë të mëdha. Duhet të marrim shembull nga Holanda’. Gjithsesi, të ndodhë çfarë të ndodhë, do të jetë në historinë e futbollit botëror.
Top Channel