Pulisic sfidon rivalët para debutimit në Botëror: Ky është momenti ynë, mund të konkurrojmë me këdo
Ai që ka rëndësi është Botërori. Ky ishte justifikimi i preferuar i Mauricio Pochettinos gjatë gati 2 viteve në pankinën e SHBA që përjetoi një proces të turbulluar.
Pas çdo humbjeje që dukej se minonte skuadrën e tij, argjentinasi nuk ndryshoi qëndrim; Kupa e Artë dhe Nations League janë vetëm nxemja përpara eventit më të madh që është kampionati botëror. Gjatë shortit, presidenti Donald Trump e pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë Pochettinon në lidhje me shanset reale që ka skuadra e SHBA për të fituar botërorin dhe Pochettino nuk ngurroi të përgjigjej: ‘A mund të jemi kampionë? Sigurisht që po’.
Tani është momenti që skuadra amerikane të aplikojë gjithçka në fushën e lojës. Filozofia e argjentinasit nuk është vetëm taktike; janë tranzicionet e vrullshme, loja direkte në krahë. Është edhe një çështje kulture. ‘Ndonjëherë më duket se njerëzit nuk e kuptojnë, duhet të përkthejm kulturën e futbollit për lojtarin amerikan-theksoi Pochettino.
Në këtë eveniment, Pochettino do të ketë një ekip yjesh, shumë evropiane edhe pse ka mungesa të rëndësishme. Agyemang që luftonte për një vend në repartin e sulmit e sidomos Johnny Cardoso që u frenua për shkak të dëmtimeve të shumta. Diçka që e ka penguar Pochettinon që të ketë në dispozicion skuadrën e plotë. Për këtë arsye ai do të bëjë ndonjë eksperiment në debutimin ndaj Paraguajit. Freeman fitoi garën me Scally në krahun e djathtë, Balogun do të jetë qendërsulmues dhe Dest do të luajë si futbollist ofensiv.
Loja e skuadrës së Pochettinos në sfidën e saj do të përballet me soliditetin e Paraguajit të Gustavo Alfaro. Një skuadër që dallohet për pragmatizmin dhe papashikueshmërinë e saj. Nuk do të jetë aspak një natë e lehtë për SHBA. Por edhe Alfaro ka problemet e tij dhe janë të të njëjtit lloj si Pochettino, Julio Enciso nuk do të jetë në këtë përballje për shkak të një dëmtimi. Kjo rikonfiguron të gjithë repartin e sulmit te skuadra paraguajane me Alfaro që do të duhet të besojë edhe një herë të veterani Almiron. Sfida e Los Angeles do të ketë shumë dyshime dhe për SHBA dhe Mauricio Pochettino erdhi ora e së vërtetës.
Top Channel