Shtohen problemet te Argjentina në prag të debutimit të saj në Botëror me Algjerinë. Dyshimeve për praninë e Julian Alvarez, Paredes dhe Montiel, iu shtohen ato për Nico Gonzales dhe Tagliafico.

Sipas informacioneve më të fundit futbollistët e Atletico Madrid dhe Lyonit kanë shfaqur probleme fizike dhe nuk kanë mundur të stërviten normalisht në sesionin stëvitor të së enjtes.

Në këtë mënyrë, skuadra kampione në fuqi e botës është më e prekura nga problemet fizike. Në formacionin e mundshëm titullar, si Emiliano Martinez ashtu edhe Cuti Romero vijnë me shumë pak kohë rikuperim nga dëmtimet e pësuara me klubet respektive. Këto duke iu shtuar edhe dëmtimet e minutës së fundit, ngrenë shumë dyshime për startin e Argjentinës.

Por pavarësisht kësaj, kampiones në fuqi të botës me shumë mundësi do t’i mjaftojnë futbollistët që ka në dispozicion për të marrë rezultate të favorshme në fazën e grupeve për të kaluar në raundin tjetër si fituese e grupit të saj. Argjentina në fakt ka në formë futbollistë si Lionel Messi, De Paul apo Enzo Fernandez. Nga 3 dilemat që paraqiten, 2 duket se janë të zgjidhura. Lautaro Martinez do të jetë qendërsulmuesi titullar nëse Julian Alvarez nuk do të rikuperohet në kohë dhe Exequiel Palacios do të luajë në vend të Paredes. Por problemet më të mëdha Scaloni do t’i ketë në krahun e majtë të mbrojtjes teksa në dyshim janë si Acuna ashtu edhe Tagliafico dhe këtu dalin 2 opsione.

Opsioni i parë dhe më konservator është aktivizimi i Facundo Medina në një rol më mbrojtës dhe më në krahë. Opsioni tjetër është Valentin Barco. Edhe pse gjatë gjithë fazës përgatitorë ai ka luajtur në pozicione më të avancuar dhe ka qënë në zona ndërmjetëse, prania e tij si lojtar krahu në ndeshjet me rivalë më inferiorë mund të ndihmojë në krijimin e superioritetit numerik në disa linja.

Top Channel