Kur Donald Trump e pyeti nëse SHBA mund të fitojë Botërorin, Mauricio Pochettino iu përgjigj pa hezitim ‘po’. Për shumë vetë ky ishte një bast shumë i madh por trajneri i ri dhe ambicioz argjentinas i kombëtares amerikane e konfirmoi këtë pikërisht përpara fillimit të Botërorit

‘Në radhë të parë sepse e besoj këtë-tha Mauricio Pochettino në një intervistë për të përditshmen britanike ‘The Guardian’-dhe në radhë të dytë, sepse e kërkon përfaqësuesi më i madh i vendit. Nëse unë do të isha presidenti dhe trajneri nuk do të më përgjigjej qartë cfarë prisja, do ta përzija’.

Kurajoja nuk i mungon 56 vjeçarit që ka bërë xhiron e botës në futboll dhe që nuk e harron origjinën e tij; vështirësitë ekonomike të familjes, qytezën dhe provincën ku është rritur, dëshirën për t’u shfaqur.

‘Nuk kam pasur kurrë një ëndërr amerikane, nuk flisja anglisht, nuk kuptoja asgjë, nuk kisha jetuar kurrë në SHBA, kisha shkuar vetëm në Seattle në 2014 me Tottenhamin dhe kisha një ndeshje në Washington në 1999 me Argjentinën-shtoi Pochettino-kam pasur një ëndërr argjentinase, më pas një spanjolle e një angleze. Ëndrra amerikane është ideja që gjithçka është e mundur dhe të gjithë kemi ëndrra; nuk i përkasin vetëm Amerikës. Në futboll nuk mund të jesh realist; duhet të krijosh ëndrra, të besosh te e pamundura. Në futboll nëse nuk beson, lamtumirë. Por nëse beson një mundësi do ta kesh me siguri’

E megjithatë presioni për faktin se drejton kombëtaren e një prej vendeve organizatore është.

‘Është shumë e vështirë të flesh natën-pranoi trajneri argjentinas-që nga dita që kemi pranuar këtë sfidë, kemi marrë atë përgjegjësi si motivim, energji. Askush nuk i sheh SHBA si një rival. Por duke analizuar botërorët e tjerë thamë ‘Pse jo?’. Të jesh vendi organizator mund të krijojë sinergji me njerëzit. Lejojini të kenë lirinë për të fluturuar dhe ëndërruar’

Në SHBA ka kuriozitet për skuadrën kombëtare

‘Ndonjëherë vesh tutat e kombëtares amerikane dhe njerëzit të pyesin se çfarë sporti praktikojmë-tha Pochettino duke qeshur-iu them futboll por nuk e kuptojnë menjëherë. Më pas iu them se po përgatitemi për Botërorin dhe aty na inkurajojnë. Këtu fjala futboll nuk është si në Argjentinë, por pasioni në SHBA është më i thellë në krahasim me të kaluarën. Federata ka bërë një punë të shkëlqyer duke unifikuar MLS, universitetet dhe kolegjet. Duan të bëhen një komb futbollistik. Kam futbollistë në Evropë, MLS është në rritje. Messi ka pasur një impakt të madh dhe Messi është kampioni i botës. Është një proces në zhvillim e sipër’.

Top Channel