Kupa e Botës ka qenë gjithmonë skena ku janë vendosur dhe thyer rekordet më të mëdha të futbollit. Edicioni i vitit 2026 mund të sjellë kapituj të rinj në histori, me emra si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Kylian Mbappé që synojnë të lënë gjurmë të tjera të paharrueshme.

Messi, Ronaldo dhe portieri meksikan Guillermo Ochoa kanë hyrë në histori si futbollistët e vetëm që kanë marrë pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës, një arritje që kërkon më shumë se dy dekada karrierë në nivelet më të larta.

Një tjetër rekord që mund të bjerë është ai i golashënuesit më të mirë në historinë e Botërorëve. Gjermani Miroslav Klose mban vendin e parë me 16 gola, por Kylian Mbappé është shumë pranë, me 12 gola në vetëm dy edicione. Edhe Messi, me 13 gola, ka ende shanse ta barazojë ose ta kalojë rekordin në turneun e fundit të karrierës së tij.

Ndërkohë, rekordi i Just Fontaine prej 13 golash në një edicion të vetëm të Kupës së Botës, vendosur në vitin 1958, vazhdon të duket pothuajse i paarritshëm. As Ronaldo në vitin 2002 dhe as Mbappé në vitin 2022 nuk shkuan më shumë se 8 gola në një turne.

Po aq i vështirë për t’u thyer mbetet edhe rekordi i legjendës braziliane Pelé, i vetmi futbollist që ka fituar tre Kupa Bote, në vitet 1958, 1962 dhe 1970.

Cristiano Ronaldo kryeson gjithashtu listën e futbollistëve që kanë shënuar në më shumë edicione të Botërorit, me gola në pesë turne të ndryshëm. Messi e ndjek me katër dhe synon ta ngushtojë diferencën në vitin 2026.

Mes rekordeve më të veçanta janë edhe pesë golat e Oleg Salenkos në një ndeshje të vetme të Botërorit në vitin 1994, si dhe goli më i shpejtë në histori, i realizuar nga Hakan Şükür pas vetëm 11 sekondash në vitin 2002.

Me zgjerimin e Kupës së Botës në 48 skuadra dhe më shumë ndeshje në kalendar, disa rekorde historike mund të vihen seriozisht në rrezik, ndërsa të tjerë vazhdojnë të duken të paprekshëm edhe pas dekadash.

Top Channel