Ndërsa shumë muzikantë në mbarë botën do të bënin gjithçka për të pasur shansin e artë të krijonin një këngë zyrtare për Kupën e Botës, legjenda e grupit Oasis, Noel Gallagher, nuk është padyshim një prej tyre.

Me afrimin e ditëve për nisjen e Botërorit në Amerikën e Veriut, ikona e muzikës britanike ka zbuluar ekskluzivisht për talkSPORT Breakfast se ka refuzuar zyrtarisht ftesën për t’u përfshirë në krijimin e një kënge të re për kombëtaren e Anglisë.

Që nga viti 1996, hiti historik “Three Lions” ka qenë himni i padiskutueshëm i tifozëve anglezë në çdo turne madhor, por tentativat e fundit për të sjellë diçka të re me firmën e Gallagher kanë dështuar përballë refuzimit të tij të prerë. Edhe pse Noel njihet si një i apasionuar i çmendur pas futbollit dhe veçanërisht pas skuadrës së tij të zemrës, Manchester City, ai ka bërë të qartë se dashuria e tij për këtë lojë ka kufij dhe nuk do të shkojë deri në studio për të bërë muzikë për kombëtaren.

Ky Botëror do të jetë ndryshe nga të tjerët, pasi për herë të parë në histori, finalja në stadiumin “MetLife” do të ketë një spektakël të stilit Super Bowl në pushimin e ndeshjes me yje si Madonna, Shakira dhe BTS, e megjithatë Gallagher ka zbuluar se tashmë i ka siguruar biletat e tij vetëm si spektator për të ndjekur finalen e madhe, duke refuzuar çdo lloj angazhimi tjetër skenik apo muzikor rreth këtij turneu.

Top Channel