Kush po mbetet pa bileta? Renditja surprizuese e ekipeve që po ‘pushtojnë’ SHBA-në (Lista e plotë).
Orët e fundit të Botërorit 2026 janë shoqëruar me një valë të paprecedentë polemikash dhe tensionesh të larta, të cilat këtë herë nuk kanë lindur në fushën e blertë, por në pikat e kontrollit kufitar të Shteteve të Bashkuara.
Masat ekstremisht të rrepta të sigurisë dhe burokracitë e rrepta të vizave kanë krijuar një situatë kaotike, duke prekur drejtpërdrejt kombëtare të rëndësishme, zyrtarë të lartë të FIFA-s dhe mijëra tifozë që po përballen me barriera të pakapërcyeshme për të hyrë në vendin pritës.
Shënjestrohen yjet e futbollit dhe delegacionet zyrtare
Ndër incidentet më të bujshme të 48 orëve të fundit është ai i sulmuesit të kombëtares së Zvicrës, Breel Embolo. Viza e futbollistit u vendos nën një rishikim të imtësishëm nga autoritetet amerikane, duke bërë që ai t’i bashkohej skuadrës së tij me disa ditë vonesë. Fat akoma më të keq pati lojtari i përfaqësueses së Irakut, Aymen Hussein, i cili u mbajt i bllokuar dhe u mor në pyetje për gati 7 orë rresht sapo shkeli në tokën e Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, kombëtarja e Iranit kaloi ditë të tëra ankthi në Konsullatën e SHBA-së në Turqi për shkak të procedurave të stërzgjatura. Autoritetet amerikane vendosën t’u lejojnë atyre hyrjen në vend vetëm në ditët kur kanë ndeshje, ndërsa pesëmbëdhjetë anëtarëve të delegacionit iranian iu refuzua plotësisht viza. Një fat të ngjashëm vonesash pësoi edhe përfaqësuesja e Afrikës së Jugut, e cila mbërriti në SHBA shumë më vonë se programi i parashikuar, pasi një pjese të konsiderueshme të delegacionit nuk iu dhanë lejet e udhëtimit në kohë.
Skandali me arbitrin më të mirë të Afrikës
Një nga goditjet më të mëdha për imazhin e turneut dhe vetë organizimit ishte dëbimi i Omar Abdulkadir Artan, i cili u shpall si arbitri më i mirë afrikan nga CAF për vitin 2025. Edhe pse ai udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara i pajisur me një pasaportë diplomatike, zyrtarët e emigracionit ia refuzuan hyrjen dhe e kthyen mbrapsht. Pas këtij skandali, FIFA doli me një njoftim zyrtar ku konfirmoi se Artan nuk do të jetë në gjendje të ndajë drejtësinë në këtë turne, një vendim që ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi koordinimin mes qeverisë amerikane dhe shtëpisë botërore të futbollit.
Kontrolle poshtëruese dhe akuza për racizëm
Në aeroportet amerikane, masat e sigurisë kanë kaluar në skena që po cilësohen si të tepruara dhe fyese nga opinion publik. Anëtarët e stafit të kombëtares së Senegalit u detyruan të hiqnin këpucët dhe iu nënshtruan kontrolleve trupore jashtëzakonisht të gjata, skenë kjo që ka ndezur menjëherë akuza të forta për racizëm në mediat ndërkombëtare. Ndërkohë, pamjet e kombëtares së Uzbekistanit, e cila u kontrollua imtësisht nga qentë antieksplozivë direkt pas zbritjes, u bënë menjëherë virale në rrjet, duke ngjallur debate të ashpra mbi trajtimin e sportistëve elitarë.
Tifozët në dëshpërim: Paratë e humbura dhe vizat e anuluara
Makthi i kufijve nuk ka kursyer as ata që bëjnë sakrificat më të mëdha për këtë sport: tifozët. Disa mbështetës skocezë, të cilët teorikisht e kishin të garantuar hyrjen pa vizë përmes programit të udhëtimit ESTA, panë që autorizimet e tyre të anuloheshin papritur dhe pa asnjë shpjegim vetëm pak ditë përpara nisjes. Kjo situatë po përsëritet në masë në mbarë botën, ku me mijëra fansa që kishin blerë biletat e ndeshjeve dhe kishin rezervuar akomodimin e fluturimet, morën refuzim të vizës në momentet e fundit, duke pësuar humbje të mëdha financiare dhe duke u privuar nga ëndrra e tyre për të ndjekur Botërorin.
Top Channel