Botërori nuk ka nisur ende, por një sërë polemikash tashmë kanë shpërthyer. Edicioni më i pasur i të gjitha kohërave është i destinuar të regjistrojë ankesa të përditshme dhe të çdo niveli. Polemika më e fundit ka të bëjë me strukturat akomoduese që do të presin ekipet në qytete të ndryshme.

I pakënaquri i parë është Ronald Koeman që me Holandën e tij pasditen e së martës u akomoduan në hotelin Cascade të Kansas City në prag të debutimit të Portokallinjve të dielën me ndeshjen ndaj Japonisë.

Futbollistët dhe stafi i Holandës kishin fjetur në një hotel me 4 yje që e konsideruan të parehatshëm në Neë York me rastin e ndeshjes miqësore me Uzbekistanin dhe trajneri nuk e humbi rastin për të nënvizuar pakënaqësinë e skuadrës së tij.

‘Le të themi që mund të bëhej më mirë’-tha Koeman teksa hodhi një vështrim ‘alla Rambo’ në konferencën për shtyp. Ndërsa të martën, me të mbërritur në Missouri anuloi stëvitjen e parashikuar. Kushedi nëse ky vendim varet edhe nga fakti që hoteli ku skuadra do të flejë në pjesën e parë të Botërorit është një tjetër strukturë me 4 yje.

Në të vërtetë, Holanda nuk është e vetmja kombëtare që ka mbetur jashtë rrethit të hoteleve ekstraluksoze. Në Kansas City do të akomodohen në struktura me 4 yje edhe Anglia dhe Argjentina. Sistemimet janë ‘këshilluar’ nga FIFA që ka dhënë mbështetjen edhe për kërkimin e fushave stërvitore.

Iu shkoi më mirë ekipeve që zgjodhën seli më turistike dhe të pasura me oferta; Franca është në Boston dhe akomodohet te ‘Four Season’, Brazili në Neë York te ‘Ridge Hotel’, ndërsa Zvicra miratoi një resort fantastik në San Diego,  ‘Fairmont Grand del Mar’, por më pas në zonë ndodhën gjëra që i kanë shqetësuar helvetët; gjetën gjarpërinj helmues pak metra larg dhomave të lojtarëve, ndërkohë që pati edhe një zjarr në zonë. Ndoshta edhe zviceranët e kanë diçka për t’u ankuar.

Top Channel