Meshari i Gjon Buzukut, i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe, vijon të sfidojë studiuesit dhe të frymëzojë kërkimin shkencor si një prej elementëve më të rëndësishëm të identitetit shqiptar.
Me këtë qëllim, profesor Vehbi Miftari u zhyt për gati dy vite në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, për të hulumtuar në çdo faqe veprën origjinale të Mesharit, shkruar në 1555 nga prifti katolik shqiptar, Gjon Buzuku.
Në ligjëratën që u mbajt në Akademinë e Shkencave në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, Miftari prezantoi studimin tipografik për veprën, nisur nga formati, madhësia e librit, prania e ujëshkronjave ose filigranëve në tekst.
“Mbi dy të parat kemi identifikuar qartësisht se formati është infolio, kriteri i tretë nuk na jep shumë të dhëna sepse nuk kemi identifikuar prani të shenjave në tekstin e Mesharit, megjithëse nuik janë shumë të zakonshme”, tha Miftari.
In folio është një format tradicional i librave dhe dokumenteve të shtypura, që krijohet kur një fletë e madhe letre paloset një herë në mes, duke formuar dy apo katër faqe, që dalin më të mëdha se formatet e tjera. Shenja të njëjta me Mesharin janë gjetur në arkivat e Napolit, megjithatë studimi nuk konfirmon përfundimisht ku është botuar vepra e rrallë.
“Këto gjetje dëshmojnë për elementë shumë të rëndësishme tipografike, për rrethanat në të cilat është botuar Meshari, edhe për rrugët e mundshme të botimit. Kuptojmë që është botuar për të plotësuar një kriter shumë të rëndësishëm të Kishës për shpërndarjen e liturgjisë në gjuhën vendase”, shtoi Miftari.
Profesori beson se ky nuk është ekzemplari i vetëm i botuar. Për të dalë në rezultate të qartë, është i nevojshëm vijimi i studimeve, të cilat mbështeten edhe nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, që përshëndeti ligjëratën me një letër nga Don Mauro Mantovani.
“Ky thesar i ruajtur në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, i shtypur në shekullin VI dhe i konsideruar një nga dëshmitë më të çmuara të historisë kulturore dhe gjuhësore të popullit shqiptar, jo vetëm që ruhet me përkushtim në Bibliotekën tonë, por jemi krenarë të promovojmë po ashtu studimin, kunsultimin dhe njohjen e saj”, shkruan Don Mauro Mantovani.
Gjatë aktivitetit, u ekspozua kopjen e “Mesharit”, pjesë e Koleksionit të Bibliotekës Kombëtare, dhuruar nga Papa Françesku I.
Top Channel