Mori pjesë në disa aksione për arrestimin e Violand Braçellarit, ish-kolegu i Enea Mekollit: Shkonim pa mjete mbrojtëse, FNSH dhe RENEA ndërhynin rrallë

07/06/2026 14:55

Një ish-oficer policie, njëkohësisht koleg i të ndjerit Enea Mekolli, ka treguar se ka marrë pjesë në disa operacione për arrestimin e Violand Braçellarit, autori i dyshuar i vrasjes së 34-vjeçarit.

Aldi Bylyku ka treguar se shpesh herë shkonin në aksionet policore pa mjetet mbrojtëse, përfshirë antiplumbin. Ndër të tjera ka treguar edhe se FNSH dhe RENEA ndërhynin rrallë, por shton edhe disa situata të tjera.

“Një tragjedi që pritej…

Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit në Maliq, po ju marr disa minuta kohë për t’ju treguar se si funksionon një pjesë e anës së errët të sistemit policor.

Nuk po ju flas si një qytetar që jep thjesht një mendim, por si një ish-oficer policie që ka marrë pjesë disa herë në operacionet për kapjen e Violand Braçellarit. Lidhur me ngjarjen konkrete nuk mund të flas për rrethanat e saj sepse nuk di konkretish si ka ndodhur dhe sdua të merem me fjalë portalesh, por mund të tregoj atë që kam përjetuar vetë gjatë viteve të shërbimit.

Po e shkruaj këtë për të përfaqësuar shumë efektivë policie që nuk kanë mundësi të flasin publikisht për problemet, streset, rreziqet dhe presionet që përballojnë çdo ditë.

Kam shërbyer në Komisariatin e Maliqit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe kam marrë pjesë në disa operacione për kapjen e këtij personi. Në shumicën e rasteve, grupet e kontrollit përbëheshin nga 5-7 punonjës policie, shpesh pa mjete të mjaftueshme mbrojtëse (antiplumb) .

Ndërhyrjet me mbështetjen e FNSH-së apo RENEA-s ishin të rralla. Pjesa më e madhe e operacioneve kryhej nga efektivët e Komisariatit Maliq, ndonjë agjent i Drejtorisë Vendore dhe punonjës të Forcës “Shqiponja”. Informacionet për rrezikshmërinë ishin të pafundme dhe të gjithë e dinim rrezikshmërinë e personit që kërkonim, por urdhrat ishin të prerë: “duhej të shkonim në kontroll”. (Duhet të luanim me vdekjen).

Shpesh grupi përbëhej nga vetëm një ose dy efektivë që mbanin armë automatike, ndërsa pjesa tjetër me pistoleta. Madje ka pasur raste kur gjatë lëvizjeve në terren merrnim shkopinj të improvizuar për t’u mbrojtur nga qentë, pasi udhëzimet ishin që të shmangej përdorimi i armëve edhe në situata të tilla.

Një nga arsyet pse operacionet zhvilloheshin me kaq pak forca ishte edhe mungesa e mjeteve logjistike sepse kishte mungese nafte dhe e jepnin me limit ndërsa makinat e drejtuesve kishin pun me rëndësi. Shpesh përdorej vetëm një automjet që edhe mund t’i mungonin frenat. Kur kishim dy makina dhe beheshin 9-10 policë e konsideronim veten me fat. (Dronat as nuk mund të imagjinoheshin)

Po jap vetëm një shembull.

Një ditë, bashkë me katër kolegë, konstatuam disa bimë kanabisi në një përrua. Njoftuam eprorët dhe urdhri ishte të qëndronim aty deri në mbrëmje, me shpresën se do të vinte personi që i kultivonte (pritej Violandi) . Ishte një urdhër vetëm me gojë dhe të gjithë e dinim se rreziku ishte i madh. Ndodh pafundësisht në polici që urdhërat nuk shkruhen se ata janë aq të aftë dhe magjistarë sa mos lën gjurmë për përgjegjësit e tyre.

Disa dit kemi bër shërbim aty gjithsej dy grupe me 4-5 policë. Mbaj mënd se kolegu im i zyrës sapo ishte bër baba me një vajzë dhe duhet të ishte aty sepse mbante përgjegjësi sepse mbulonte atë zonë.

Sot, kur e kujtoj atë situatë, e kuptoj se fati na ka ndihmuar shumë.

Mbaj mend gjithashtu një rast kur në zonë erdhi një nga automjetet e reja Land Rover të Policisë. Në vend që të përdorej për të lehtësuar operacionin, u shmang futja në terren të vështirë nga frika e dëmtimeve dhe gërvishtjeve nga ferrat se prishej bukuria e makinës dhe efektivët u detyruan të vazhdonin disa kilometra më shum në këmbë.

Një rast tjetër ka qën kur pas një operaxioni jan kapur dy shokë te Violandit dhe une bashkë me kolegun tim kemi marë shpërblim nga drejtori i asaj kohe plot 10 litra naftë. Që kishim turp të shkonim ti tërhiqnim në karburant.

Këto nuk janë histori që i kam dëgjuar por janë situata që i kam përjetuar vetë dhe më vjen keq për veten dhe punonjësit e tjerë që jeta jonë vlente sa disa bimë kanabis.

Prandaj, nëse kërkohet transparencë dhe përgjegjësi për ngjarjen e fundit, unë mendoj se duhen verifikuar disa çështje të kaluara dhe drejtuesi i Policisë të japë përgjigje transparente….

Për kontrollet që janë kryer ndër vite në banesat dhe ambientet e përdorura nga ky person.
Sa efektivë kanë marrë pjesë në këto operacione dhe me çfarë pajisjesh kanë shkuar???
Çfarë masash sigurie janë zbatuar realisht për mbrojtjen e tyre???
A janë pyetur ndonjëherë efektivët që kanë marrë pjesë në këto operacione për vështirësitë dhe rreziqet që kanë përballuar??
Pse Bashkia Maliq nuk ka marë masa për prishjen e ndërtimeve të stanit të këtij personi ndërsa për popullin e thjeshtë që bëntë një mur pa lejë duhet ta kryqëzonin????

Përgjigjet për këto pyetje gjenden në dosje dhe mbi të gjitha tek vetë punonjësit e policisë.

Ndoshta duhej dhimbja e një nëne dhe familje që shqiptarët të dëgjonin një pjesë të vogël të asaj që shumë efektivë policie kanë përjetuar prej vitesh në heshtje dhe vazhdojnë ta vuajnë nga drejtuesit e paaftë e të betuar të partisë.

Kam pasur mik dhe koleg Edison Mekollin, vëllain e Eneas të cilin sëmundja e ligë e mori para kohe në kulmin e rinisë së tij dhe për të cilin Policia e Shtetit nuk e ndihmoi për ndonjë mjekim, thjesht e dorëzoi në fatin e tij të keq.
Gjithashtu kam pasur shok dhe koleg Enean me të cilin kam punuar në sektorin e qarkullimit por cuditërisht e transferonin herë pas here drejtuesit pa ndonjë arsye konkrete.
I qoftë dheu i lehtë miqve të mij!

Gjithsesi po mundohem mos e zgjat shumë se fjalët për historitë e errëta dhe sakrificat e punonjësve të policisë nuk kanë të mbaruar se ka pafundësisht për të treguar. Nuk mund të pretendoj se fjalët e mia do dëgjohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit Shqiptar apo dikush tjetër me pozita të larta që mund të bëjë dicka ndryshe sepse kurrë nuk ndodh kjo, por nuk mund të rij dot në heshtje për padrejtësit që i jan bër kolegëve të mi, të cilat janë më shum sesa imagjinata e njerëzve.

Edhe njëher ngushëllime familjes së Eneas dhe shërim të shpejtë Edison Adrit! 🙏

Respekt dhe mirnjohje për çdo punonjës policie të cilët janë heronjtë e padukshëm dhe të heshtur të popullit Shqiptar.
Zoti i bekoftë!

PERSONALISHT MENDOJ SE DUHET NJË NDRYSHIM RADIKAL NË RREGULLOREN DHE LIGJIN E POLICISË SË SHTETIT SHQIPTAR.

Shënim: Jam i gatshëm të diskutoj publikisht për përvojën time dhe të përballem me këdo nga Drejtuesit që kan qënë Korcë dhe mund të ketë pretendime se këto gjëra nuk kanë ndodhur, gjithashtu jam i gatshëm të jap më tepër informacion nëse më kërkohet nga institucionet përkatëse.

Ëndrra ime e trashëguar nga babai dhe gjyshi ka qën të jem oficer policie por….. në Shqipëri ëndrrat ngelen në mes….”, shkruan ai.

Top Channel