Nuk ka më dyshime, Irani do të luajë pa probleme në Botëror, SHBA i jep vizat lojtarëve të përfaqësueses nga Lindja e Mesme
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja e Botërorit 2026, një nga krizat më të mëdha administrative dhe diplomatike jashtë fushave të blertë sapo ka gjetur zgjidhje.
Kombëtarja e Iranit, e cila rrezikonte seriozisht mosparaqitjen ose bllokimin e ndeshjeve të fazës së grupeve, ka marrë dritën jeshile për të udhëtuar drejt Amerikës Veriore, pas një odiseje të vërtetë burokratike.
Ankthi në Ankara dhe paradoksi i shortit
I gjithë delegacioni iranian kishte mbetur i bllokuar në Ankara të Turqisë, ku lojtarët dhe stafi teknik kishin dorëzuar pasaportat në Ambasadën e SHBA-së menjëherë pas miqësores së zhvilluar në Antalia. Paradoksi i kësaj situate qëndronte në faktin se Irani i kishte të rregullta vizat dhe bazën stërvitore në Meksikë (në Tijuana), por shorti i Botërorit kishte përcaktuar që të tria ndeshjet e tyre të Grupit G ndaj Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjiptit të luheshin në tokën amerikane, specifikisht në Los Angeles dhe Seattle. Pa vizën e SHBA-së, pjesëmarrja e tyre ishte praktikisht e pamundur.
Uashingtoni shmang skandalin e madh në sekondat e fundit
Përpara rrezikut të një skandali të përmasave botërore dhe alarmimit të strukturave të FIFA-s, çështja ka kaluar në nivelet më të larta të politikës ndërkombëtare. Përmes një komunikate të jashtëzakonshme, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar zyrtarisht se vizat amerikane për delegacionin e Iranit janë miratuar dhe lëshuar. Ky vendim ka sjellë lehtësimin e menjëhershëm të skuadrës, e cila këtë të shtunë do të fluturojë drejt Meksikës për të nisur fazën finale të përgatitjeve, përpara debutimit zyrtar të planifikuar për datën 15 qershor.
Top Channel