Minatorët e AlbChrome në Bulqizë bojkotojnë punën, kundërshtojnë heqjen e pagës së 13-të

04/06/2026 14:31

Minatorët e minierës së Bulqizës kanë bojkotuar punën prej dy ditësh, duke ndërprerë aktivitetin në një nga minierat më të mëdha të kromit në vend, e administruar nga kompania AlbChrom e cila atualisht menaxhohet nga firma Turke YLLDYRIM .

Shkak i protestës është bërë një njoftim i shpërndarë së fundmi nga kompania, përmes të cilit, sipas minatorëve, parashikohet ndryshimi i mënyrës së përfitimit të pagës së 13-të, e cila deri më tani ka qenë pjesë e kontratës së punës dhe është dhënë në fund të çdo viti.

Sipas punonjësve, kompania u ka bërë të ditur se kjo pagesë nuk do të jepet më si një shumë e plotë në fundvit, por do të zëvendësohet me një skemë shpërblimi të ndarë në dy këste, ku një pjesë do të likuidohet gjatë këtij viti dhe pjesa tjetër vitin e ardhshëm.

Ky vendim është kundërshtuar nga minatorët, të cilët e konsiderojnë një shkelje të marrëveshjeve kontraktuale dhe një cenim të një të drejte të fituar ndër vite. Ata kërkojnë që paga e 13-të të vijojë të jepet sipas kushteve të përcaktuara në kontratë dhe kanë paralajmëruar se nuk do t’i rikthehen punës deri në një reagim konkret nga kompania.

Pezullimi i punës ka ndikuar në aktivitetin normal të minierës, ndërsa situata mbetet e tensionuar. Deri në këto momente nuk ka një qëndrim zyrtar nga AlbChrome lidhur me pretendimet e ngritura nga minatorët.

Minatorët shprehen të frkësuar mos rrezikojnë vendin se do të vijojnë bojkotin dhe format e tjera të protestës nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë dhe nëse nuk garantohet respektimi i detyrimeve të parashikuara në kontratat e punës.

Ndërkohë sot pritet një njoftim zyrtar nga ana e kompanisë në lidhje me kërkesën e minatorëve.

Top Channel