Çështja e prishjes së pallatit të dëmtuar nga tërmeti, Gjykata shpall të pafajshëm zyrtarët e Bashkisë së Tiranës

29/05/2026 11:35

Çështja e bujshme e prishjes së një pallati nga tërmeti në Kombinat, u njoftua me masa për disa zyrtarë të bashkisë dhe IMT, por këtë të premte, Gjykata ka vendosur të shpallë të pafajshëm nga të gjitha akuzat, Aurel Boriçin.

Drejtori aktual në Drejtorinë e Medias dhe Komunikimit në Bashki, si dhe ish zyrtarët e tjerë Aurel Çuko dhe Eleana Guçe. Ata u gjetën të pafajshëm raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, nga dhoma penale e Tiranës.

Një gazetar prej dy dekadash, Boriçi që drejtoi përkohësisht Emergjencat Civile në një nga kohërat më sfiduese në Bashki, atë pas tërmetit, u akuzua për abuzim me detyrën për prishjen pa vendim Këshilli, të një pallati në Kombinat, por faktet dhe procesi vërtetuan që Instituti i Ndërtimit kishte vendosur një gjë të tillë pas analizave dhe oponencës teknike.

Jo vetëm kaq, por zyrtarët zbatuan aktin normativ për një pallat ku tërmeti kishte sjellë viktima, që saktëson se nëse rindërtimi tejkalon 70% të kostos, ose nëse IN vendos që është i pabanueshëm, duhet të prishet. Boriçi dhe Çuko zbatuan ligjin, por Prokuroria kishte dyshime të tjera.

Të pafajshëm u shpallën dhe dy ish zyrtarët e IMT, Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi, ndërsa u dënuan me 9 muaj burg, për falsifikim, Shyqyri Maloku, si dhe 6 muaj Aleksandra Mahmutllari, që sipas gjykatës konvertohet në “punë në interes publik”.

Gjykata nënvizoi se Prokuroria dështoi të provojë akuzat ndaj Boriçit dhe Çukos, e madje nuk respektoi asnjë nga vendimet hetuese për të cilat ishte urdhëruar më parë, në një çështje e cila ishte pushuar më parë, pikërisht sepse nuk ekzistonte vepra penale.

Top Channel