Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës i ka kërkuar zyrtarisht dy kompanive që kanë marrë përsipër ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, që brenda 30 ditëve të zgjidhin ngërçin mes tyre në mënyrë që të vijojë puna për përfundimin e veprës.
Përmes një letre ministri Enea Karakaçi i kujton dy kompanive “MABCO” dhe “2A”, se mosmarrëvshjet mes tyre nuk mund të sjellin si pasojë bllokimin e një projekti me rëndësi kombëtare, interesi publik i të cilit tejkalon interesat private të ortakëve dhe vetë koncensionarit.
“MIE kërkon formalisht përmes këtij komunikimi, që palët të iniciojnë një proces të përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, proces i cili duhet të realizohet brenda një periudhe 30 ditore nga data e këtij komunikimi”, thuhet në letrën e Karakaçit.
Teksa MIE merr përsipër të bashkëpunojë me dy kompanitë për garantimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga kontrata, ministri Karakaçi lë të hapur edhe mundësinë e ndërhyrjes së shtetit në rast se MABCO dhe 2A nuk gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre.
“Në rast mosmarrëveshje brenda afatit të mësipërm të kërkesave të dërguara nga autoriteti dhe vijimit të mosmarrëveshjeve, MIE do të ushtrojë të gjitha të drejtat e parashikuara në Kontratën e Koncesionit dhe legjislacioni përkatës, në mbrojtje të interesit publik dhe interesave të shtetit shqiptar”, përfundon letra e Ministrit të Infrastrukturës.
Pak ditë më parë Gjykata e Lartë prishi vendimin që kishte pezulluar të drejtën e votës dhe të drejtat e tjera të shoqërisë “Mabco” në kompaninë Vlora International Airport.
Tre gjyqtarët e lartë, të cilët morën në shqyrtim çështjen me bazë rekursin e Mabcos, vlerësuan të rrëzojnë kërkesën e VIA dhe A2 Group për marrjen e masës së sigurimit ndaj kësaj të fundit.

Top Channel