“Nuk kam ndërmend të ndalem”, Victoria Beckham flet hapur për punën dhe krizën financiare

28/05/2026 19:40

Victoria Beckham ka treguar se nuk ka asnjë plan për t’u tërhequr nga karriera, duke pranuar se puna mbetet një nga pasionet më të mëdha të jetës së saj.

Në një intervistë për “The Times”, e publikuar më 27 maj, stilistja dhe ish-anëtarja e Spice Girls u shpreh se nuk e imagjinon veten larg angazhimeve profesionale.

“E dua atë që bëj dhe i dua njerëzit me të cilët punoj. Për momentin, nuk mendoj fare për pensionimin”, tha ajo.

Victoria shtoi se do ta kishte të vështirë të qëndronte pa punë, pasi i pëlqen të jetë vazhdimisht aktive dhe e angazhuar.

“Do të mërzitesha shumë nëse nuk do të punoja. Më pëlqen të jem e zënë. Gjithashtu, dua që fëmijët e mi të shohin sa e apasionuar jam pas asaj që bëj”, u shpreh Beckham.

Ajo theksoi se si ajo ashtu edhe bashkëshorti i saj, David Beckham, janë përpjekur t’u japin fëmijëve shembullin e etikës së fortë të punës dhe përkushtimit.

“Mendoj se është e rëndësishme që fëmijët të shohin prindërit e tyre duke punuar fort dhe duke ndjekur pasionin e tyre”, tha ajo.

Victoria Beckham u bë e famshme në vitet ’90 si pjesë e Spice Girls, përpara se të ndërtonte një karrierë të suksesshme në modë me markën e saj personale.

Në dokumentarin e saj të publikuar nga Netflix në vitin 2025, ajo foli edhe për periudhën më të vështirë financiare të biznesit të saj.

“Pothuajse humba gjithçka. Ishte një periudhë shumë e errët. Qaja çdo ditë para se të shkoja në punë sepse ndihesha sikur po shuaja zjarr pas zjarri”, rrëfeu ajo.

Sipas Beckham, kompania po përballej me humbje prej dhjetëra milionë dollarësh dhe presioni ishte bërë i padurueshëm.

Ajo tregoi se në atë periudhë mbështetja e David Beckham ishte shumë e rëndësishme, pasi ai ishte jo vetëm bashkëshorti i saj, por edhe partner në biznes.

Më vonë, stilistja bashkëpunoi me sipërmarrësin David Belhassen, i cili i kërkoi të ristrukturonte plotësisht kompaninë për ta shpëtuar nga falimentimi.

“Njerëzit kishin frikë të më thoshin ‘jo’. E kuptova se kisha humbur rrugën dhe kishte shumë gjëra që duhej t’i ndryshoja”, pranoi ajo./TAR

Top Channel